U shty sërish seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për “Shkelje të barazisë në tendera”.
Shkak për shtyrjen e radhës u bë mungesa e prokurorit të SPAK, Dritan Prençi, i cili ndodhej në një proces tjetër gjyqësor në Apelin e Posaçëm.
Në seancë munguan edhe vetë i pandehuri Benet Beci, si dhe avokati i tij, Ervin Metalla. Ky i fundit depozitoi në sekretarinë e gjykatës një raport mjekësor 21-ditor.
Përballë këtyre mungesave, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 9 qershor, në orën 12:30.
Sipas SPAK-ut, Beci dyshohet se ka shkelur barazinë mes operatorëve ekonomikë në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH-i në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë 96.5 milion lekë.
Hetimi ndaj tij ka nisur kryesisht pas referimit të akteve nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët sekuestruan prova materiale gjatë kontrolleve në banesën e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi.