Celebrities Gossip Showbiz

“Pse dukej kaq e trishtuar?”/ Fotot e dasmës së prindërve të Bebe Rexhës bëhen virale?

Bebe Rexha ka prekur ndjekësit e saj me publikimin e disa fotografive të rralla familjare, të realizuara në ditën e martesës së prindërve të saj, Flamur dhe Bukurije Rexha.

Këngëtarja shqiptaro-amerikane i ndau imazhet në platformën X, duke i shoqëruar me një përshkrim të shkurtër:

Dasma e prindërve të mi shqiptarë.

Postimi u përhap me shpejtësi në rrjet, duke grumbulluar mijëra reagime dhe komente nga fansa të vendeve të ndryshme. Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte pamja serioze e nënës së artistes në fotografitë e dasmës.

Shumë ndjekës të huaj u habitën nga mungesa e buzëqeshjes, ndërsa nuk munguan pyetjet si:

A ishte mamaja jote e lumtur që po martohej?

Në fakt, shprehja e saj lidhet me një traditë të vjetër shqiptare. Sipas zakoneve të dikurshme, nusja në ditën e martesës duhej të ruante një qëndrim serioz, të mbante sytë ulur dhe të mos shfaqte emocione të forta apo të qeshte, si simbol modestie dhe respekti ndaj familjes dhe ceremonisë.

Ky zakon ka qenë i përhapur në shumë zona shqiptare dhe duket se është ndjekur edhe në dasmën e prindërve të Bebe Rexhës, duke shpjeguar kështu pamjen që ngjalli kaq shumë diskutime në rrjetet sociale.

Postimi u mirëprit nga ndjekësit shqiptarë, të cilët e cilësuan si një moment nostalgjik, ndërsa për shumë të huaj u kthye në një mundësi për të njohur më nga afër një prej traditave të vjetra të dasmave shqiptare.

Bebe Rexha ka shprehur shpesh krenarinë për origjinën e saj. Babai i këngëtares, Flamur Rexha, është nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nëna e saj, Bukurije Rexha, është me origjinë nga Gostivari.