Bebe Rexha ka zbuluar historinë interesante që fshihet pas një prej këngëve më të komentuara të albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”.
Në një intervistë për revistën PAPER, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare foli për “New Religion”, këngën që ndërtohet mbi një sample të hitit legjendar të viteve ’90, “Insomnia”, të grupit britanik Faithless.
Artistja tregoi se sigurimi i të drejtave për përdorimin e këtij sample-i ishte një proces i gjatë dhe jo aspak i lehtë.
M’u desh shumë, shumë kohë
-pranoi Bebe, duke shtuar se për një periudhë nuk ishte e sigurt nëse do të merrte ndonjëherë miratimin për ta përdorur.
Për të fituar besimin e autorëve të këngës ikonike, ajo zhvilloi biseda me Rollo dhe Sister Bliss, dy nga figurat kryesore të Faithless, madje u takua edhe personalisht me këtë të fundit.
Kam folur me Rollo-n, kam folur me Sister Bliss. Kam ngrënë brunch me Sister Bliss. E njoha. Ajo është shumë ‘cool’, shumë e mençur
-u shpreh Rexha.
Në fund, përpjekjet dhanë rezultat dhe Faithless i dha dritën jeshile përdorimit të sample-it.
“Insomnia” konsiderohet një nga këngët më të rëndësishme në historinë e muzikës elektronike, ndaj ripërpunimi i saj kërkonte jo vetëm miratim ligjor, por edhe respekt për veprën origjinale.
Rezultati është “New Religion”, një këngë dance/EDM që ruan atmosferën karakteristike të hitit të famshëm, por e sjell atë në stilin dhe identitetin artistik të Bebe Rexhës.
Sipas PAPER, kënga është një nga pikat kulmore të albumit “Dirty Blonde”, projekti i parë i artistes pas largimit nga Warner Records dhe nisjes së një kapitulli të ri si artiste e pavarur në bashkëpunim me Empire.
Albumi ka nisur me sukses, duke debutuar në vendin e parë në klasifikimin Billboard Top Dance Albums, ndërsa ka hyrë edhe në disa lista të tjera prestigjioze në SHBA.
Për Bebe Rexhën, “New Religion” nuk është thjesht një interpretim modern i një klasiku, por një simbol i lirisë së saj krijuese dhe i drejtimit të ri artistik, ku synon të krijojë muzikë sipas vizionit të saj.