Për fat të mirë, ka disa truke që mund t’i mbajnë bimët të freskëta dhe të shëndetshme. Bimëve u duhet më shumë ujë sa më shumë dritë natyrale të marrin. Për të ulur këtë nevojë, largojini bimët nga burimet direkte të dritës. Ulini aty ku bie më shumë dritë, tërhiqni perdet. Megjithatë, kini kujdes të mos e errësoni plotësisht hapësirën, dhoma nuk duhet të jetë krejtësisht e errët. Nëse zakonisht një bimë ujitet një herë në javë, por do të mungoni dy javë, zhvendoseni më larg dritares që të zgjatet periudha mes dy ujitjeve.
Por nëse keni një bimë që zakonisht ujitet çdo dy javë, nuk keni nevojë ta lëvizni, mjafton ta ujisni mirë para se të largoheni. Nëse banesa juaj është shumë e ngrohtë gjatë verës dhe keni kondicioner me orë, programojeni që çdo ditë të freskojë për pak minuta dhomën ku ndodhen bimët. Kështu do të ngadalësoni avullimin e ujit nga pjatat apo vazot.
Nëse do të mungoni një javë ose më pak, mjafton t’i ujisni mirë bimët para se të niseni. Lëreni ujin e tepërt të kullojë, në mënyrë që dheu të mbetet i lagësht, por jo aq sa bimët të qëndrojnë në ujë, pasi kjo mund të çojë në kalbjen e rrënjëve. Bimët që janë rezistente ndaj thatësisë, si kaktuset apo sukulentët, do të përballojnë pa problem një javë pa ujë.
Nëse do të mungoni më gjatë, ka disa mënyra për të mbajtur lagështinë në tokë, mbulojeni sipërfaqen e dheut në vazo me gazeta të lagura ose me një copë të lagur që ta ruajë lagështinë sa më gjatë. Që bimët të konsumojnë më pak ujë gjatë mungesës suaj, duhet t’ua ngadalësoni rritjen para se të largoheni. Këtë mund ta bëni duke ndalur plehërimin disa javë para largimit, duke i krasitur pak, duke hequr gjethet e thara, dhe nëse bimët kanë lule, mund t’i këpusni lulet ose sythat, që ato të përdorin sa më pak energji dhe ujë për t’u rritur.