Ky është stacioni i ri evropian i trenit i quajtur ‘ferr mistik’. I projektuar nga skulptori me famë botërore Anish Kapoor, i cili qëndron prapa Cloud Gate të famshme të Çikagos dhe kullës së Parkut Olimpik të Londrës, stacioni Monte Sant’Angelo është hapur në periferi të Napolit në Itali. Atij iu kërkua për herë të parë të projektonte stacionin në vitin 2003. Më shumë se 20 vjet më vonë, më në fund është hapur dhe udhëtarët nuk mund t’u besojnë syve të tyre.

Hyrja mahnitëse është bërë nga çeliku i gërryer, në një formë të madhe ovale që duket si një portë për në botën e nëndheshme. Hyni brenda dhe do të gjeni shkallë lëvizëse që zbresin në platforma megjithëse sapo të jeni poshtë, gjithçka është si zakonisht me mure me pllaka dhe trena që hyjnë. “Në qytetin e malit Vezuv dhe hyrjes mitike të Dantes në Ferr, e gjeta të rëndësishme të përpiqesha të merresha me atë që do të thotë vërtet të shkosh nën tokë”-tha Kapoor.

Ndalesa e re është pjesë e projektit masiv të rigjenerimit urban dhe kulturor të Napolit. I ndërtuar në kampusin e Universitetit të Napolit, Federico II, stacioni lidh anën perëndimore të qytetit me qendrën dhe lidhet me hekurudhat Cumana dhe Circumflegrea dhe funikularin Montesanto. Stacioni në fakt ka dy hyrje; atë kryesore universitare, e cila ngrihet nga toka dhe hyrjen Traiano, e cila përdridhet nga brenda me çelik të lëmuar.