Një numër qytetarësh protestuan në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës, pak orë pasi rregullatori i energjisë miratoi kërkesat e operatorëve energjetikë për rritjen e çmimit. Teksa bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) nuk tregoi në mbledhjen e sotme se me sa përqind do të rritet çmimi, Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime të brendshme se rritja do të jetë deri në 16%.
Njëri nga organizatorët e protestës nga grupi “Asnjë cent më shumë”, tha se bordi i ZRRE-së i ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave.
Thirrja jonë e përbashkët sot u shkoi në vesh të shurdhër zyrtarëve të ZRRE-së: Asnjë cent më shumë. Sot në mënyrë arbitrare, në mënyrë jolegjitime dhe në mënyrë të njëanshme, bordi i rregullatorit mori vendim pa i pyetur dhe pa i marrë parasysh komentet e qytetarëve. Ata nuk e përfaqësojnë popullin.
Protesta nisi në mesditë në sheshin Zahir Pajaziti në qendër të qytetit dhe vazhdoi te zyra e rregullatorit të energjisë, në lagjen Pejton. Organizatorët paralajmëruan se do të dorëzojnë padi ndaj vendimit të ZRRE-së më 14 prill, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo është protesta e dytë kundër shtrenjtimit të rrymës në vend, pas asaj më 5 prill.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Bordi i ZRRE-së i miratoi kërkesat e tyre në mbledhjen e sotme e tha se do të njoftojë për përqindjen, ditët në vijim. Më herët, ZRRE-ja njoftoi se tarifat e reja do të hynin në fuqi më 1 maj. Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend me rreth 15%, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
Teksa Presidenca e kundërshtoi ngritjen e çmimit të rrymës, qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së të mos e shtrenjtonte çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat në muaj. Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.