Rajoni

Kosovë, çmimi i energjisë pritet të rritet deri në 16%/ZRRE-ja miratoi kërkesat e operatorëve energjetikë!

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë së Kosovës (ZRRE) miratoi kërkesat e tre operatorëve energjetikë, por pa treguar me sa përqind u rrit çmimi i energjisë. Nga burime të brendshme, Radio Evropa e Lirë mësoi se u vendos të rritet deri në 16%. ZRRE-ja tha se lidhur me përqindjen e rritjes do të njoftojë ditët në vijim. Ndërkohë, pritet protestë për të kundërshtuar shtrenjtimin.

Muajin e kaluar, Rregullatori i Energjisë propozoi shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend me rreth 15%, duke argumentuar se këtë vit, rritja e tarifave është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe qytetarë që protestuan javën e kaluar. Qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së të mos e shtrenjtojë për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë në muaj.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që e kalojnë, pjesa mbi këtë fashë iu llogaritet me 14.45 centë.

Nga ora 22:00 e deri në 07:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që harxhojnë më shumë.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj. ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin e përvitshëm të tarifave, që çdo vit shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit rritjen.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave për shkak të importit të energjisë elektrike.

Kosova nuk mund ta sigurojë e vetme energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj. Një nga arsyet është vjetërimi me dekada i termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Më herët, përfaqësuesit e bizneseve thanë për Radion Evropa e Lirë se rritja e mundshme e çmimit të energjisë do të rriste kostot operative të bizneseve. Më pas, kjo do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bërë më pak konkurruese në treg.