Bota

Raketa e re hipersonike, Koreja e Veriut: Do të frenojë rivalët!

Koreja e Veriut raportoi se raketa më e fundit që testoi është hipersonike, me rreze të mesme veprimi, e prodhuar për të goditur objektivat në Paqësor. Lideri komunist, Kim Jong Un është zotuar ta zgjerojë arsenalin bërthamor të Phenianit për t’iu kundërvënë kombeve rivale.

Më herët, ushtria e Koresë së Jugut deklaroi se “Koreja e Veriut lëshoi një raketë që fluturoi 1.100 kilometra, para se të binte në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë”.

Koreja e Veriut ka treguar sisteme të shumta armësh vitin e kaluar, që mund të vënë në shënjestër fqinjët e saj, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mesin e tyre pati raketa balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë. Janë ngritur shqetësime se Veriu mund t’i çojë më tej përpara aftësitë e veta ushtarake përmes teknologjisë së ofruar nga Rusia, pasi këto dy vende kanë rritur bashkëpunimin për luftën në Ukrainë.

Vitet e fundit, Koreja e Veriut ka lëshuar dhe testuar raketa të ndryshme me rreze të mesme veprimi, që nëse perfeksionohen, mund ta arrijnë bazën ushtarake të SHBA-ve në Guam.

Prej vitit 2021, shteti komunist ka testuar armë hipersonike të prodhuara për të fluturuar të paktën pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit. Qëllimi i shpejtësisë dhe lëvizjes së armëve të tilla është që t’i bëhet ballë sistemeve rajonale të mbrojtjes raketore. Por, nuk është e qartë nëse këto raketa mund të fluturojnë vazhdimisht me të njëjtën shpejtësi siç pretendon Veriu.

Kim mbikëqyri testimin e raketës që përshkoi 1.500 kilometra, duke arritur dy pika të ndryshme kulmore, 99.8 dhe 42.5 kilometra. Po ashtu, kapi një shpejtësi 12 herë më të lartë se e zërit, para se ta godiste me saktësi shënjestrën detare.

Lee Sung Joon, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, deklaroi se ushtria koreano-jugore beson se Koreja e Veriut po i ekzagjeron aftësitë e sistemit të saj hipersonik, duke theksuar se raketa mbuloi një distancë më të vogël dhe se nuk arriti një pikë të dytë kulmore në trajektoren e saj.

Ka mundësi që ky ishte vazhdim i një tjetër testimi të një rakete balistike hipersonike me rreze të mesme, i kryer në prill.

Po ashtu, ushtaraku vuri në dyshim efikasitetin e përdorimit të këtyre sistemeve në një territor relativisht të vogël si Gadishulli Korean. Sipas tij, “ushtritë e Koresë së Jugut dhe SHBA-ve po vazhdojnë ta analizojnë raketën”.