Aktualitet Politikë

Rama: Duhet bërë më shumë për zbutjen e rritjes së çmimeve/Në mars hapet tuneli i Murrizit!

Tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit do të hapet në muajin mars. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Rama, në nisje të bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale. Po ashtu, në rubrikën “Sy m’sy”, Rama tha se duhet bërë më shumë për të zbutur rritjen e çmimeve, siç u shpreh “në disa raste, jashtë logjikës”. “Natyrisht, ekonomia nuk është mjaftueshëm mirë e njerëzit janë të prirur të kërkojnë më shumë”, deklaroi kryeministri.

Ekonomia nuk është kurrë mjaftueshëm. Duhet bërë dicka më shumë për zbutur rritjen e cmimeve, në disa raste jashtë logjikës, por faktet flasin vetë. Sepse kur morëm detyrën ishin rreth 100 mijë kompani aktive, sot janë 250 mijë kompani aktive, nga të vogla e të mëdha. Po ashtu, sot kemi 57 % të punësuarve me zero taksë, 36 % të punësuarve me taksë 4 deri në 10 %, me normat më të ulëta në rajon.

Kur ne morëm detyrën ishte taksimi i padrejtë, me sistemin që futëm i kemi lënë njerëzve në xhep 145 milion euro në vit, që ia paguanin shtetit nga paga e tyre. Janë 1.4 miliardë euro në 10 vjet që ia kemi hequr Buxhetit të Shtetit dhe ua kemi lënë qytetarëve.

Kemi të vetmin sistem në rajon ku biznesi i vogël paguhet zero taksë. Këto janë fakte. Eshtë fakt që të ardhurat për frymë janë më shumë se dyfishuar. Ose prodhimi i përgjithshëm kombëtar, ku sot jemi afro 25 miliardë. Vitin e shkuar kishim më shumë se 11 miliona pasagjerë, pra janë xhiro, të ardhura e konsum.

Rama foli edhe për drejtësinë e theksoi se fajtorët e 21 Janarit i nxjerr SPAK-u e GJKKO, jo qeveria. Ndërkaq, përsëriti qëndrimin se Prokuroria e Posaçme nuk do të ekzistonte nëse ai nuk do të ishte i vendosur të luftohej korrupsioni.

Kishim heshtje strategjike për t’i dhënë suport drejtësisë dhe për të krijuar atmosferën që të mos ndjehej asnjë trysni. Tani që kjo ka dhënë krijimin e një vetëbesimi te pavarësia duhet të flasim për cilësinë, respektin për lirinë dhe të drejtat kushtetuese. Përpara ligjit janë të barabartë të gjithë, edhe prokurorët, edhe gjykatësit.

Kur vjen puna te 21 Janari, fajtorët i nxjerr SPAK-u dhe jo qeveria. Vullneti i luftës kundër korrupsionit na ka bërë shembull në rajon. Të dhënat që na kanë monitoruar tregojnë që ka një ndryshim të madh. Çfarë konstaton Bashkimi Europian në ecurinë e një vendi është absolute sepse fokusohet në fakte dhe shifra e nuk të afron njeri në atë shtëpi nëse nuk i përgjigjesh kritereve që ka ajo shtëpi për t’u bërë pjesë e saj.