Këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë dalë kundër kryeministrit Edi Rama, i cili pasditen e sotme (20 shkurt) mbledh në Sheshin Skënderbej administratën e Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të Erion Veliajt.
Përmes postimeve në rrjete sociale ata e kanë cilësuar “grusht shteti” dhe “shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve”.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, shprehet se “kryeministri ka kapur çdo pushtet”, duke thënë se “në vend që të zbatojë Kushtetutën dhe të shkarkojë urgjentisht Veliajn, organizon miting me administratën e Bashkisë, duke e përdorur atë si me qenë ndonjë repart partie.”
Postimi i Telitit:
GRUSHT SHTETI NË QENDËR TË TIRANËS!
Grusht shteti institucional në mes të Tiranës!
Kryeministri që ka kapur çdo pushtet , tani vendos të vetëshpallet edhe kryetar bashkie , duke e kthyer shtetin totalisht në pronë private.
Në vend që të zbatojë Kushtetutën dhe të shkarkojë urgjentisht Veliaj dhe të lejojë zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ti deleguar përkohësisht kompetencat zyrtarisht njërit prej nënkryetarëve të bashkisë, Rama organizon miting me administratën e Bashkisë, duke e përdorur atë si me qenë ndonjë repart partie.
Pasi “e çoi me duart e tij” në burgun e Durrësit , tani Kryeministri po mundohet të dalë si “shpëtimtari” i kryeqytetit.
Kjo nuk është më as fasadë, por është autokraci e pastër!
Shqipëria nuk mund të jetë peng i një njeriu!