Kryeministri Edi Rama sot zhvilluar një takim në Sarandë me sipërmarrës të rinj, ku ka paralajmëruar sektorin e hotelerisë kundër deklarimit jo të saktë të numrit të shtretërve bosh në këto struktura gjatë sezonit veror. Rama tha se për të shmangur evazionin fiskal, strukturave hoteliere do t’i jepet si opsion që të pranojnë një paradeklarim me marrëveshje, që në periudhën e pikut të paguajnë 65%.
Do të duhet të pranoni se bëni shumë hile me deklarimin e shtretërve të zënë. Çështja është që kjo hile na pengon që të bëjmë më shumë për qytetin sepse nuk i jepet mundësia bashkisë që të mbledhë të ardhurat që i takojnë. Nuk mund të pretendojë njeri në Ksamil dhe Sarandë që në korrik ka shtretër bosh, por po të shikosh deklarimet tuaja, duket sikur jetoni në një krizë permanente.
Ne ulëm TVSH-në dhe çuam në 6% e ju prapë bëni sikur nuk kuptoni. Për të hyrë në një proces formalizimi të kësaj situate, kemi vendosur që t’i japim një opsion strukturave hoteliere për të pranuar një paradeklarim me marrëveshje, që në periudhën e pikut të paguajnë 65%.
Ndër të tjera, Rama i ftoi sipërmarrësit e rinj që të vazhdojnë të investojnë, si dhe theksoi se me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, çmimi i pronës në vend do të dyfishohet.
Në momentin që do të hyjmë në Bashkimin Europian, të gjitha pronat do të pësojnë një rritje çmimi dyfish, siç ka treguar historia e të gjitha vendeve që kanë hyrë pas nesh. Prona e patundshme bëhet objekt interesi për një popullatë që është qindra miliona njerëz dhe jo vetëm e popullatës që banon këtu. Çfardo investimi që bëni sot, është një investim që pas 5, 7 apo 10 vitesh do t’ju kthehet në një mirësi shumë të madhe. Unë do t’ju inkurajoja ta bënit këtë gjë, vuri në dukje Rama.