Sot në bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarët në rubrikën “Sy’m’sy”, kryeministri Rama kishte edhe një mesazh referuar organeve të Drejtësisë:
Fatkeqësia është se gabimet e tyre nuk janë si gabimet e ndërmarrjes së gjelbërimit, por kushtojnë jetë njerëzish, trauma dhe plagë psikologjike, nganjëherë të pariparueshme. Por, nuk ka alternativë tjetër përveç një drejtësie të pavarur profesionale e që respekton integritetin, liritë dhe të drejtat e njeriut. Të pavarurën e kemi para syve, profesionalen duhet ta luftojmë së bashku, ta konsolidojmë se ka shumë gjëra pozitive, por dhe negative.
Eshtë betejë për t’u bërë si aleatë e partnerë të drejtësisë, pushtete të ndara, por të vendosur sepse nuk mund të cënohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv. Nuk mund të cënohen të drejtat për të marrë vendime, të trysnohet administrata e shtetit apo të paragjykohen. Dhe nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Uroj të jetë lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor. Nuk mund të kthehemi në kohërat e erreta që kush merret me politikë të survejohet. Nuk duhet të interferojmë te njëri-tjetri.
Rama nënvizoi edhe një herë se është nismë dhe vullnet i PS-së për të kontribuar pavarësinë e institucioneve të reja, ndërsa në llogoren tjetër, shefi i qeverisë vendos opozitën, për të cilën thotë se “po lufton e shantazhon SPAK”-un.
Drejtësia e pavarur për aq sa është pavarësuar e po kontribuon, jo pak, në përpjekjen tonë të përbashkët për të ulur Shqipërinë në Bashkimin Europian është fryt i vizionit e vullnetit e përpjekjes titanike të Partisë Socialiste. Nuk e solli Amerika e nuk e merr dot me vete.
E kemi shkruar në programet tona që kur ishim në opozitë dhe është fryt i qëndrimit tonë të prerë. Amerika e Bashkimi Europian kanë dhënë mbështetje të madhe në procesin e reformës, por pavarësia dhe qëndrueshmëria e institucioneve të drejtësisë varet nga vullneti i Partisë Socialiste. Nëse Partia Socialiste e lëshon këtë llogore, të tjerët janë reshtuar në luftën kundër drejtësisë dhe bombardimit të SPAK-ut e drejtuesve të SPAK-ut me çdo lloj shantazhi e fyerjesh.