Politikë

Rama prezanton ‘Paketën e Maleve’: Dokumentat e pronës me 1 euro kush e zhvillon!

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nga Shkodra, paketën e Maleve, bashkë me ministrin e Ekonomisë Blendi Gonxhe dhe ministrit të Shtetit.

Pak javë para zgjedhjeve, Rama parashtroi se si qytetarët me prona të paregjistruara mund të marrin dokumentat për vetëm 1 euro, duke zhvilluar aty një biznes.

Kryeministri theksoi se këto lehtësira janë për familjet që nuk kanë konflikte të pronës dhe se nuk janë zaptues, por posedues.

“Logjika e kësaj pakete është që pronarëve që quhen poseduesit faktikë, që nuk janë zaptuesit, që nuk kanë letrat dokumentat e pronësisë dhe janë shumë në veri, edhe në jug edhe në Shqipërinë e Mesme. Nuk ka një pikë të Shqipërisë, asnjë 100m2, kudo, që të mos jetë e mundur të bësh sukses, nëpërmjet agroturizmit. Pavarësisht edhe infrastrukturës. Kush e ka pronën dhe nuk ka sherr me kufitarët, mund të marri nga Këshilli Bashkiak një vërtetim që ky ose këta zotërojnë këtë pronë. Me këtë vërtetim, është e mjaftueshme për të disponuar një leje zhvillimore dhe pastaj për të lidhur një marrëveshje me ministrinë e Ekonomisë, duke paguar vetëm 1 euro. Nëse më pas lind ndonjë konflikt, është barrë e shtetit”, sqaroi kryeministri duke theksuar se për financimin e projekteve, Banka e Shqipërisë ofron 250 mln euro kredi, me garanci 70% nga shteti.

Më tej, kreu i qeverisë theksoi se 500 përfituesit e parë 10 vjet do të zhvillojnë pronësinë pa asnjë taksë.