Aktualitet

Fletë-arresti për Artur Shehun dhe prona në Zvërnec, Rama: Toka nuk është e askujt, atë investim Vlora e do

Kryeministri Edi Rama deklaroi se hetimet e SPAK ndaj personave të përfshirë në shitjen e tokave në Zvërnec nuk ndikojnë te projekti i investimit në zonë.

Sipas tij, prona aktualisht u përket blerësve dhe nuk është objekt hetimi. Rama theksoi se investimi nuk rrezikohet ligjërisht, ndërsa e cilësoi të paarsyeshme refuzimin e një projekti prej 4 miliardë eurosh.

Ai shtoi se në zonë nuk ka leje ndërtimi, por vetëm një leje zhvillimi paraprake.

“Këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Toka nuk është më e askujt, përveç atyre që e kanë blerë. Hetimet për persona që janë shitës të tokës janë hetimet që vazhdojnë dhe SPAK bën rrugën e vet. Sot që flasim, prona është e pronarëve që e kanë blerë nga këta shitës. Ajo pronë është jashtë çdo investigimi.

Kjo është një gjë shumë e mirë dhe një lajm shumë i mirë për ata që pretendojnë se prona është e tyre. Ata do ta provojnë në gjykatë nëse toka është e tyre dhe lekët do t’i marrin ata, jo ai që ka bërë shitjen.

Në pikëpamjen ligjore, investimi nuk rrezikon asgjë. Në pikëpamjen se si investitorët mund të ndihen nga një qasje mosmikëpritëse se si mund të pritet investimi, edhe pse është një qasje në bulevardin e Tiranës, jo në sheshin e Flamurit, sepse Vlora e do këtë investim, kjo është një çështje e investitorëve. Është një çmenduri që Shqipëria të refuzojë një investim 4 miliardë, duke qenë një vend që ka më pak se 27 miliardë ekonomi të vetën. Por shumica e shqiptarëve e do këtë investim.

Unë nuk jam autoriteti përkatës, por nuk ka asnjë shans në Shqipëri që të bëhen transaksione blerje-shitjesh pa certifikata. Sepse nuk besoj se ka kaq shumë budallenj sa të japin para pa pasur certifikata, pa i bërë skanimin nga ana e noterëve dhe avokatëve.

Ne jemi në një proces dhe nuk ka një leje ndërtimi dhe nuk ka pasur ndonjëherë një leje ndërtimi. Ka pasur leje zhvillimi, që është një aprovim paraprak i një koncepti”, tha Rama.