Rajoni

Richard Grenell uron Kosovën, flet për Thaçin në Hagë: Padrejtësi!

I dërguari amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, uroi “miqtë në Kosovë për 17-vjetorin e shtetësisë së vendit”.

Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e madhe. Ati themeltar i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të festonte sot në Prishtinë, jo pas hekurave në Hagë, u shpreh Grenell përmes një postimi në X.

Sipas tij, europianët dështuan të veprojnë kundër “kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit”.

Edhe institucionet shtetërore të Kosovës, për shkak të politikës, kanë dështuar që të ndërmarrin veprime të domosdoshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie.

Hashim Thaçi e ka shpallur pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Ai po përballet me dy procese gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë dhe është në paraburgim në qytetin holandez prej vitit 2020. Thaçi pati ndërprerë një vizitë të planifikuar për në Uashington, në qershor 2020, në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo pasi Zyra e Prokurorit u pati dërguar Dhomave të Specializuara në Hagë një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën emri i Thaçit përmendej për një sërë krimesh. Në rastin e parë, akuzohet për krime lufte dhe kundër njerëzimit, bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po ashtu ish-drejtues të lartë në Kosovë.

Aktakuzën e pati ngritur prokurori Jack Smith, i cili më vonë pati dhënë dorëheqje për të hetuar presidentin Trump mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai pati dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, si dhe hetimet ndaj Trump-it kanë pushuar pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, Thaçit iu konfirmua edhe një aktakuzë e re mbi “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e parë gjyqësor”. Përveç Thaçit, në aktakuzën e dytë janë përfshirë emrat e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj e Fadil Fazliut. Thaçi tha se është i pafajshëm për të dyja rastet gjyqësore.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës. Deri tani, kjo gjykatë ka dhënë vendime për krime lufte, si dhe për pengim të drejtësisë.