Shqipëria shfuqizon heqjen e vizave për qytetarët e Rusisë, që vizitojnë vendin për turizëm. Në mbledhjen e fundit të qeverisë u rishikua lista e shteteve, qytetarët e së cilëve përfitonin. Kjo listë e miratuar vitin e kaluar përfshinte tetë vende e përcaktonte hyrjen pa viza çdo vit, për periudhën kohore 20 prill-31 dhjetor. Për tre nga këto shtete, mes tyre Rusia, udhëtimi pa viza për qëllime turistike zgjaste nga 1 maji deri më 30 shtator.
Në faqen zyrtare, ambasada jonë në Moskë, publikoi një njoftim “tepër urgjent”, ku njoftonte për vendimin e Qeverisë, duke shpjeguar se “për të vizituar Republikën e Shqipërisë është e nevojshme të aplikohet për vizë në përputhje me qëllimin e udhëtimit”. Me fjalë të tjera, për të vizituar Shqipërinë në këtë periudhë, ashtu si dhe në pjesën tjetër të vitit, qytetarët rusë duhet të kërkojnë një vizë shqiptare sipas qëllimit të udhëtimit”.
Dje pasdite, vendimi i qeverisë u pasqyrua dhe në faqen e ambasadës ruse në Tiranë në Facebook, duke iu drejtuar “qytetarëve të Federatës Ruse të cilët kanë për qëllim të vizitojnë Shqipërinë”. Aty shpjegohet se shteti i tyre “është përjashtuar nga lista e vendeve, qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza nga 1 maji deri më 30 shtator”. Në një postim të mëvonshëm, rreth mesnatës, ambasada ruse bëri të ditur se sot do të ketë një reagim.
Vitin e kaluar, pasi kishte miratuar vendimin me anë të të cilit qytetarët rusë mund të hynin në Shqipëri pa viza për qëllime turistike, kryeministri Rama, e mbrojti qëndrimin që kishte zgjedhur, duke u shprehur: nuk mendoj se duhet rishikuar.
Më 3 maj, përmes një video-konference, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i tha Kuvendit të Shqipërisë:
Ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush po vjen tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj.