Havier Zaneti rrëfen disa nga momentet më të bukura dhe më të vështira të karrierës së tij. Ish-kapiteni i zikaltërve ka folur për mënyrën se si e sheh tani futbollin në rolin e drejtuesit dhe atë që bënte dikur si kapiten.
IDHUJT– “Unë kam pasur fatin që të luaj me shumë kampionë. Idhulli im i fëmijërisë ka qenë Rikardo Boçini. Ai ka luajtur vetëm tek Independiente dhe unë kam bërë thuajse të njëjtën gjë me Interin. Kam luajtur me Ronaldon, që ishte i jashtëzakonshëm në forcë, driblime dhe personalitet. Me Mesin, që e kujtoj qysh në hapat e parë dhe që kishte diçka speciale. Me Baxhon, që edhe ai ishte një njeri i madh dhe më ka mësuar shumë. Maradona është miti me të cilin jemi rritur ne argjentinasit. Ai që në fushën e lojës përfaqësonte futbollin. Jam përballur edhe me kampionë, si: Zidan, Ronaldinjo, Maldini. Për mua, një person shumë i rëndësishëm në aspektin njerëzor, sepse jemi sfiduar në shumë derbi bashkë”.
TRAJNERI– “Nga të gjithë trajnerët mëson diçka. Nëse më duhet të them një emër, po them Bielsën, sepse ai ka marrë 100% nga mua. Është një person që më ka mësuar shumë në kombëtare. Kur je i ri, është fat të punosh me të”.
KAPITENI- “Kapiteni në një skuadër duhet të jetë shembull. Duhet të flasë pak dhe të veprojë me fakte. Duhet të flasë kur është e nevojshme. Duhet të jesh një ndihmë për shokët e skuadrës në çdo moment, kur gjërat shkojnë mirë dhe keq”.
SIMEONE– “Me Simeonen kam një raport të shkëlqyer dhe vazhdon prej vitesh. Jemi miq të mirë. Është një njeri që e do futbollin. Është duke bërë një karrierë të jashtëzakonshme dhe e meriton”.
EMOCIONET– “Kam shumë kujtime të bukura, shumë fitore, shumë trofe të ngritur bashkë me shokët e skuadrës. Ndeshja ime e fundit është më emocionueseja. Ishte një stadium i mbushur plot për të më përshëndetur. Gjatë dhe pas ndeshjes m’u kujtuan të gjitha emocionet dhe momentet që kisha kaluar tek Interi”.
INTERI- “Ndeshja ime e parë me 80 mijë tifozë në stadium ishte si një ëndërr. Të nisja këtë rrugëtim në një vend ndryshe dhe të tregoja që isha gati për të luajtur me kampionë të mëdhenj ishte një mision i vështirë. Nuk do ta harroj kurrë”.
PENGJET- “Mendoj se kur dikush jep gjithçka, nuk ka pengje. Unë kam dhënë gjithçka për Interin dhe për futbollin”.
VAR– “Teknologjia e ndihmon futbollin, por duhet përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme. Mund t’i ndihmojë arbitrat të përmirësohen”.
LEXO EDHE: Nis në DigitAlb “KUQeZI”, emisioni dedikuar Kombëtares!
DËMTIMI– “Pas dëmtimit të rëndë në vitin 2013 nuk doja që ta lija futbollin në atë mënyrë. Doja që ta kaloja edhe këtë sfidë për t’u rikthyer të luaja një tjetër ndeshje përballë tifozëve të mi. Pastaj kam luajtur më shumë sesa një. Por, në atë moment, doja thjesht të vazhdoja karrierën”.
SI DREJTUES– “Raporti ndryshon rrënjësisht nga trajner në lojtar. Vizioni është i ndryshëm. Unë jam përgatitur për këtë moment dhe vazhdoj që të punoj. Të jem zëvendëspresident i një klubi, do të thotë që duhet të jem në lartësinë e duhur. Më vjen mirë që mund të jem i vlefshëm edhe jashtë fushave për Interin”.
SUPERSTICIOZ- “Nuk kam pasur ndonjë gjë të veçantë. Bëja gjithmonë kryqin përpara se të futesha në fushën e lojës. Besimi më ka shoqëruar gjithmonë dhe më shoqëron në jetë”.
RIVALI– “Barcelona e vitit 2010 ishte skuadra më e fortë ndaj së cilës kam luajtur. Nuk kisha parë kurrë një ekip të tillë. Kishin një trajner të jashtëzakonshëm dhe shumë kampionë. Ishte e vështirë për ta mundur, por ia dolëm”.
LAUTARO- “Kam dëgjuar një intervistë kur kishte shënuar 3 gola dhe nuk ishte i kënaqur me mënyrën si kishte luajtur. Aty mendova që ky është një lojtar i duhur për Interin. Kur merr një lojtar të ri, duhet të mendohesh për një kohë të gjatë dhe të parashikosh të ardhmen”.