Bota

Rreth 30.000 rrufe “përfshinë” qiellin në Britani, digjen tre shtëpi/VIDEO!

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Evropën Qendrore kanë sjellë pasoja të pazakonta në Britani, ku gjatë natës së së hënës janë regjistruar stuhi të forta me aktivitet elektrik intensiv dhe mijëra goditje rrufeje. Sipas BBC-së, rreth 30.000 goditje rrufeje janë regjistruar gjatë natës, duke krijuar një spektakël natyror të rrallë, por edhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona.

Shërbimet zjarrfikëse raportojnë se janë thirrur në rreth 400 incidente, përfshirë përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike, bllokime rrugësh dhe zjarre në banesa të shkaktuara nga rrufetë. Stuhitë u zhvendosën nga jugperëndimi drejt juglindjes së vendit, duke zgjuar banorët në orët e para të mëngjesit me bubullima dhe vetëtima të fuqishme. Disa dëshmitarë kanë përshkruar fenomenin si një nga më intensivët që kanë përjetuar ndonjëherë.

Në Somerset, janë regjistruar deri në 500 goditje rrufeje në minutë, ndërsa imazhe dhe video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë qiellin e ndriçuar vazhdimisht nga vetëtimat dhe rrufe që godasin tokën në disa pika njëkohësisht. Banorët raportojnë se zhurmat e forta i kanë zgjuar nga gjumi, duke u ngjarë shpërthimeve.

Sipas ekspertëve, stuhitë e forta lidhen drejtpërdrejt me valën e të nxehtit, e cila krijon përplasje të masave ajrore të nxehta dhe të lagështa me ajrin më të ftohtë, duke shkaktuar aktivitet të lartë elektrik në atmosferë. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se temperaturat në Angli mund të arrijnë deri në 40°C në ditët në vijim, ndërsa është lëshuar alarm i kuq për disa zona. Qytetarët janë këshilluar të kufizojnë lëvizjet, ndërsa në disa rajone janë mbyllur edhe shkolla për arsye sigurie.