Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë raportoi se do të blejë sisteme franceze të mbrojtjes ajrore, Mistral, në vlerë mbi 626 milion euro. Kjo si pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët prokurimi me disa shtete të tjera të Bashkimit Europian.
Burime zyrtare bënë të ditur se e kanë nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë franceze të Mbrojtjes të martën, për blerjen e 231 sistemeve të mbrojtjes ajrore Minstral (MANPADS) që prodhohen nga kompania e raketave MBDA dhe 934 raketa. Në marrëveshje përfshihen edhe trajnimet, simulatorët e logjistika.
Në njoftimin e lëshuar nuk u specifikua se kur këto pajisje do të dërgohen në Rumani. Ligjvënësit rumunë fillimisht kishin miratuar planin për blerjen e këtyre armëve në vitin 2022.
Rumania, shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, ndan një kufi tokësor me Ukrainën, të gjatë prej 650 kilometrash. Ky shtet është përballur me shkelje të hapësirës ajrore dhe copëza të dronëve kanë rënë vazhdimisht që kur Rusia nisi sulmet ndaj porteve të Kievit përgjatë lumit Danub.
Mbrojtja ajrore rumune aktualisht përfshin avionë luftarakë F-16, sisteme Patriot, lëshues raketash HIMARS të prodhuara nga Lockheed Martin, raketa me rreze të shkurtër veprimi Chiron të Koresë së Jugut, si dhe armë kundër avionëve Gepard, të prodhimit gjerman.
Vendi po ashtu synon që të bashkëpunojë me Ukrainën për ndërtimin e dronëve nën një mekanizëm të ri të BE-së për financimin e mbrojtjes. Mësohet se Rumania është në fazën finale të dislokimit të sistemeve kundër dronëve, Merops, që janë furnizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.