Shtetasi amerikan, Joseph Tater u largua nga Rusia. Ai u mbajt në Moskë prej gushtit të vitit të kaluar, nën akuzat për abuzim me stafin e një hoteli, akuza të cilat i ka mohuar. Më pas u çua në një klinikë psikiatrike, siç raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.
Tater u ndalua në Moskë më 12 gusht të vitit 2024, për “akte huligane” dhe u mbajt në burg për 15 ditë. Ndalimi i vazhdoi kur Komiteti rus i Hetimeve, nisi të hetonte një akuzë më serioze, atë të përdorimit të dhunës kundër një zyrtari policie.
Më 6 prill, një gjykatë e urdhëroi Taterin të zhvendoset në një qendër për trajtim të detyrueshëm psikiatrik. Sipas medias shtetërore, gjykata konkludoi se nuk është penalisht përgjegjës për veprimet e tij, pasi vuan nga çrregullime të shëndetit mendor. Sipas TASS-it, Tater la klinikën psikiatrike, një ditë më parë.
Disa burime i thanë agjencisë ruse të lajmeve se klinika nuk kishte arsye që ta mbante Taterin dhe e liroi për trajtim jospitalor. TASS raportoi se Tater nuk është më në Rusi, por nuk dihet vendndodhja e tij. As ambasada e Uashingtonit në Moskë dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk kanë komentuar lidhur me rastin.
Më herët, agjencia e lajmeve Reuters citoi një burim të Kremlinit të ketë thënë se “Tater ishte njëri prej nëntë amerikanëve që po mbahen në Rusi dhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar t’i përfshijnë në këmbim të të burgosurve”.
Ky informacion erdhi pasi Këshilltari i Kremlinit për Politikën e Jashtme, Yuri Ushakov u shpreh se këmbimi është diskutuar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, në bisedën e tyre telefonike të zhvilluar më 20 maj.
Uashingtoni dhe Moska kanë kryer dy këmbime të të burgosurve që kur Trump u rikthye në krye të Shtëpisë së Bardhë në muajin janar.
Në prill, shtetasja ruso-amerikane, Ksenia Karelina, e burgosur në Rusi për dhënie donacioni prej 51 dollarësh për një qendër bamirësie ukrainase, por me bazë në SHBA, u lirua në këmbim të Arthur Petrovit, shtetas gjermano-rus, që dyshohet të ketë eksportuar mikroelektronikë sensitive.
Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara lanë të lirë rusin Aleksandr Vinnik, i cilësuar “kriminel kibernetik”, në këmbim të mësuesit amerikan, Marc Fogel.