Rusia goditi kompleksin e mbrojtur nga UNESCO, Kyiv-Pechersk Lavra, manastirin më të rëndësishëm ortodoks të Ukrainës, gjatë një sulmi masiv me raketa dhe dronë, duke vrarë të paktën 9 persona në mbarë vendin.
Sulmet ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me liderin rus, Vladimir Putin dhe theksoi se dëshironte të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës.
Për pasojë, një pjesë e kompleksit historik të manastirit u përfshirë nga zjarri, si dhe u plagosën të paktën 13 vetë në vendngjarje. Autoritetet raportuan dëme të mëdha në gjithë Kievin.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë natës, Rusia lëshoi një breshëri prej 70 raketash e 611 dronësh kundër Ukrainës, duke synuar kryesisht kryeqytetin Kiev. Edhe qytetet Dnipro e Harkiv u goditën.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se sulmet ruse vranë pesë punonjës të ekipeve të shpëtimit dhe plagosën të paktën pesë të tjerë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili ndodhet në verilindje të vendit.
Në Harkiv, pesë pjesëtarë të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave u vranë teksa luftonin zjarret e shkaktuara nga sulmet e përsëritura ruse. Të paktën pesë të tjerë u plagosën.
Autoritetet thanë edhe se gjashtë persona, përfshirë një foshnjë, u plagosën nga një zjarr në Muzeun e Artit të Harkivit.
Një zjarr i lokalizuar shpërtheu në ndërtesën e muzeut të artit, duke përfshirë një sipërfaqe prej 1.200 metrash katrorë.
Ndër ndërtesat e goditura në Kiev ishte edhe katedralja kryesore e kompleksit historik Kyiv-Pechersk Lavra, (Manastiri i Shpellave), një zonë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku zjarrfikësit vazhduan të luftonin zjarrin në orët e para të mëngjesit.
Një sulm brutal ndaj popullit tonë dhe trashëgimisë sonë. Kjo është fytyra e vërtetë e vlerave ortodokse të Rusisë, shkroi kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, në X.