Forcat ruse duket se po forcojnë kontrollin mbi qytetin strategjik të Pokrovskut, me luftime të ashpra rrugore në të gjithë zonën e shkatërruar të Ukrainës lindore.
Ndërkohë, Kremlini njoftoi se po shqyrton mundësinë për të rifilluar testimet bërthamore – për herë të parë pas më shumë se tre dekadash.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës mohoi pretendimet e Moskës se trupat e saj janë rrethuar, duke deklaruar se po përpiqet të përforcojë mbrojtjen rreth Pokrovskut dhe Myrnohradit. Një ditë më parë, Presidenti Volodymyr Zelensky vizitoi trupat afër vijës së frontit për t’i falënderuar për qëndresën e tyre.
Të dyja palët raportojnë versione të ndryshme të luftimeve, por analistët ushtarakë paralajmërojnë se situata është përkeqësuar ndjeshëm, me forcat ruse vetëm disa kilometra larg rrethimit të trupave ukrainase.
Putini sinjalizon testime bërthamore
Larg frontit, Vladimir Putin i urdhëroi zyrtarët të përgatisin propozime për testime të reja bërthamore, duke reaguar ndaj deklaratave të Donald Trump se SHBA mund të rifillojë testet e tilla.
Putin theksoi se Rusia i është përmbajtur traktatit ndërkombëtar që ndalon testet, por paralajmëroi se “nëse SHBA-të apo ndonjë fuqi tjetër bërthamore teston, Moska do të bëjë të njëjtën gjë.”
Rusia ka kryer së fundmi teste të armëve me energji bërthamore, përfshirë raketën Burevestnik – të njohur si “Çernobili fluturues” – dhe dronin nënujor Poseidon, por asnjë prej tyre nuk ka qenë testim real bërthamor.
Një test i tillë do të shënonte fundin e një pauze 30-vjeçare që nga testimi i fundit sovjetik në vitin 1990.
Pokrovsku, “porta e Donetskut”
Pas më shumë se një viti luftimesh, Rusia duket se është afër marrjes së Pokrovskut, një qytet me rreth 50 mijë banorë para luftës, i vendosur në një rrugë strategjike që lidh fortesat kryesore të Ukrainës në rajonin e Donetskut. Rënia e tij do të ishte fitore simbolike dhe strategjike për Moskën, duke hapur rrugën për një ofensivë të mundshme drejt Kramatorskut dhe Slovianskut.
Projekti DeepState, që monitoron vijën e frontit me imazhe satelitore, raportoi se trupat ruse kanë hyrë në disa lagje të qytetit, ndërsa situata mbetet “kritike”.
Një ushtar ukrainas, Artem Karyakin, shkroi se “rusët janë të pranishëm në çdo lagje”, duke e përshkruar gjendjen si jashtëzakonisht të tensionuar.
Kievi ka dërguar forca speciale për të ndalur përparimin rus, por operacionet nuk duket se kanë sjellë ndryshim domethënës. Analistë ndërkombëtarë paralajmërojnë se Ukraina mund të përsërisë “gabime të kushtueshme”, duke mos bërë tërheqje të kontrolluara edhe kur pozicionet janë të pashpresa.
Përveç humbjeve njerëzore, Ukraina përballet me mungesë trupa, sulme të vazhdueshme me dronë dhe bombardime ajrore. Rusia ka vendosur armë të reja – përfshirë bomba rrëshqitëse me motor reaktiv – që mund të godasin objektiva shumë larg vijës së frontit.
Ndërkohë, përplasjet kanë hyrë edhe në Kupiansk, në rajonin e Kharkivit, ku Rusia pretendon se ka rrethuar qytetin, por Ukraina e ka mohuar këtë.
Ndërkohë që fronti lindor digjet, kontaktet diplomatike midis Moskës dhe Uashingtonit janë pothuajse të ngrira.
Pas takimit me Xi Jinping në Korenë e Jugut, Donald Trump deklaroi se “ndonjëherë duhet t’i lësh të luftojnë”, ndërsa administrata e tij ka vendosur sanksione të reja ndaj industrisë ruse të naftës, duke dëmtuar të ardhurat e Kremlinit.
Megjithatë, SHBA-të vazhdojnë të refuzojnë t’i japin Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, si Tomahawk, duke e kufizuar aftësinë e Kievit për të goditur objektiva ruse në thellësi të territorit armik.