Bota

Rusia sulmon Kievin me raketë balistike!

Në vijim të luftës, Rusia goditi kryeqytetin ukrainas me një raketë balistike, si dhe lëshoi bomba rrëshqitëse në qytetin lindor të Harkivit, duke shkaktuar viktima e minuar akoma më shumë përpjekjet për çimentimin e një armëpushimi mes Moskës dhe Kievit.

Në Kiev, zyrtarët  thanë se një person u vra dhe të paktën tre të tjerë u plagosën kur raketa balistike goditi një zonë industriale në pjesën jugore të kryeqytetit ukrainas, mëngjesin e sotëm. Ky sulm nxiti edhe një zjarr e dëmtoi një depo dhe godina të tjera. Kryesisht, sulmet ruse goditën qarqet ku janë të vendosura bizneset dhe depo.

Në Kupijansk, qytet në lindje të Harkivit, forcat ruse sulmuan me bomba rrëshqitëse një qark të banuar, duke plagosur dy persona, krahas dëmeve të mëdha materiale. Shumica e qytetit, që gjendet në afërsi të vijës së frontit u evakua, në kohën kur forcat ruse i janë afruar qytetit për nga drejtimi i veriut.

Bombat rrëshqitëse janë municione të rënda, që lëshohen nga avionët, por që gjenden larg vijave të frontit e drejtohen përmes sistemeve komanduese. Eshtë e vështirë që këto armë të mund të neutralizohen dhe forcat ruse, që kanë nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, i kanë përdorur ato për të sulmuar mbrojtjen ukrainase në mbarë vijën e frontit.

Në përgjithësi, Rusia ka lëshuar dhjetëra raketa drejt shënjestrave ukrainase dhe më shumë se 100 dronë, thanë autoritetet.

Gjysma e raketave dhe pothuajse gjysma e dronëve u rrëzuan, pretenduan zyrtarët ukrainas. Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes, deklaroi se Ukraina ka sulmuar shënjestrat ruse me 11 dronë.

Vladimir Putin dha shenja lëkundjeje për garancitë e pasluftës që kërkon Ukraina e që duket kanë frenuar deri arritjen e një armëpushimi të plotë. Për herë të parë që prej fillimit të konfliktit në vitin 2022, Moska dërgoi në Uashington për bisedime Kirill Dmitrijevin, i ngarkuari i posaçëm i Kremlinit për bashkëpunimin ekonomik me vendet e tjera. Pas bisedimeve në kryeqytetin e SHBA-ve, Uashington, negociatori rus nuk e përjashtoi mundësinë e garancive.

I besuari i Putin, tha në intervistë për Fox News, se u fokusua tek ekonomia dhe se mund të fliste vetëm në mënyrë hipotetike për këtë temë.