Bota

Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë, 12 viktima dhe 50 të plagosur në Kryvyi Rih!

Një sulm me raketa ruse në qytetin ukrainas të Kryvyi Rih goditi sot një zonë të banuar, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur 50 të tjerë.

Dy fëmijë ishin mes të vdekurve, tha guvernatori i rajonit. Një tjetër zyrtar lokal shtoi se të paktën 50 të tjerë u plagosën.

Sulmet vijnë në një kohë kur pala ukrainase dhe pala ruse janë në bisedime me diplomatët amerikanë për të arritur një marrëveshje armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur.

Diplomatët amerikanë kanë zhvilluar takime veçmas me homologët ukrainas e rus në Arabinë Saudite, ku ranë dakord të ndalojnë sulmet në infrastrukturën energjetike si dhe të tërheqin anijet dhe forcat ushtarake në Detin e Zi.

Edhe aleatët e NATO-s janë të vendosur të paraqesin një front të bashkuar për të kundërshtuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, por aleatët evropianë po ndiejnë se përpjekjet e tyre janë margjinalizuar.

Në kërkim të një marrëveshjeje të shpejtë për armëpushim, Uashingtoni ka sugjeruar se Ukraina mund të duhet të bëjë koncesione territoriale. SHBA-ja po ashtu ka ndërmarrë hapa për të rinisur dialogun me Rusinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të marrë pjesë në takim së bashku me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andriy Sybiha, dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Rubio mund të përballet me pyetje nga aleatët, të cilët janë të alarmuar, të zemëruar dhe të hutuar nga lëvizjet e administratës së presidentit, Donald Trump, për të përmirësuar raportet me Rusinë dhe nga sulmet e saj verbale ndaj partnerëve të kamotshëm transatlantikë.