Bota

Britania dhe Franca e akuzojnë Putinin për pengim të armëpushimit!

Britania e Madhe dhe Franca e kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se po zvarrit bisedimet për një armëpushim që synon ndalimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, si dhe kanë kërkuar përgjigje të shpejtë nga Moska pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të siguruar një armëpushim. Rusia në mënyrë efektive ka refuzuar një propozim amerikan për një ndalim të plotë të luftimeve për 30 ditë. Ukraina e ka pranuar planin e Uashingtonit.

Sipas mendimit tonë, Putin po vazhdon të mjegullojë situatën, po vazhdon ta zvarrisë procesin, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, për gazetarët në selinë e NATO-s, duke qëndruar përkrahë homologut të tij francez, Jean-Noel Barrot.

I dërguari i Kremlinit, i cili ka vizituar Uashingtonin gjatë kësaj jave për të zhvilluar bisedime me zyrtarët e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, tha se do të duhen edhe takime të tjera për të zgjidhur çështjet e hapura. Kirill Dmitriev deklaroi “se për dialogun duhet kohë, por është duke shkuar në mënyrë pozitive dhe konstruktive”.

Ndërkaq, kritikoi atë që e quajti “fushatë të koordinuar mediatike e përpjekje nga disa politikanë për të prishur raportet Rusi-SHBA, për të shtrembëruar atë që e thotë Rusia dhe për të paraqitur Rusinë dhe udhëheqësit e saj në një mënyrë negative”.

Britania dhe Franca po udhëheqin përpjekjen shumëkombëshe të njohur si “koalicioni i vullnetit”, duke synuar krijimin e një force të sigurisë, e cila do të dislokohej në Ukrainë në rast se në të ardhmen arrihet një marrëveshje armëpushimi. Një zyrtar i lartë ukrainas tha më herët gjatë javës se 10-12 vende kanë thënë se do t’i bashkohen këtij koalicioni.

Lammy u shpreh se teksa Putin duhet të pranojë një marrëveshje armëpushimi, “ai po vazhdon ta bombardojë Ukrainën“.

Po bombardon popullatën e saj civile, furnizimet e energjisë. Ne po e shohim se si po vepron Putini, e dimë se çfarë po bën.

Barrot tha se para tre javësh, Ukraina pranoi kushtet për armëpushim dhe tani Rusia ia ka borxh SHBA-ve një përgjigje.

Rusia po e zvarrit procesin, po vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë, po vazhdon krimet e luftës. Duhet të thotë ‘po’ dhe duhet të japë një përgjigje shpejt.

Dy ministrat u zotuan se do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën që të forcojë ushtrinë e saj.