Bota Politikë

Rusia sulmon Ukrainën gjatë natës, Trump paralajmëron Putinin me sanksione: Uluni në tryezën e bisedimeve para se të jetë tepër vonë!

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton sanksione dhe tarifa të reja ndaj Rusisë, pas një vale sulmesh gjatë natës në Ukrainë.

“Bazuar në faktin se Rusia po ‘godit’ absolutisht Ukrainën në fushën e betejës tani, unë jam duke konsideruar fuqimisht sanksione bankare në shkallë të gjerë, sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë deri sa të arrihet një armëpushim dhe marrëveshja PËRFUNDIMTARE PËR PAQE”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

“Për Rusinë dhe Ukrainën, shkoni në tryezë tani, para se të jetë tepër vonë”, theksoi Trump.

LEXO EDHE: Macron i përgjigjet ironisë së Putinit: Imperialist që kërkon të rishkruajë historinë…

Ky reagim i Trump vjen në një kohë kur mes Amerikës dhe Evropës kanë lindur debate.

Tensionet nisën pas përplasjes së fortë mes tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Teksa Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dy fuqitë kanë edhe kontrollin e armëve në agjendën e tyre.

Kremlini u tha gazetarëve më 7 mars se është i hapur për dialog dhe diskutime të gjera me SHBA-në lidhur me arsenalet e tyre bërthamore pasi presidenti amerikan, Donald Trump, bëri një thirrje të përgjithshme për fuqitë e tjera bërthamore që të pakësojnë stoqet e tyre.

“Dialogu mes Rusisë dhe SHBA-në mbi kontrollin e armëve është i domosdoshëm, veçmas sa i përket stabilitetit strategjik”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.