Gossip Showbiz

Sa vite burg kanë kërkuar prokurorët për Diddy-n?

Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, rrezikon të dënohet me mbi 11 vite burg, pasi prokurorët federalë në SHBA i kanë kërkuar gjyqtarit Arun Subramanian të japë një vendim shembullor ndaj tij.

Ata theksojnë se një dënim i gjatë është i domosdoshëm për shkak të abuzimeve fizike dhe psikologjike që Combs ka ushtruar ndër vite ndaj partnereve dhe punonjësve të tij.

Në një dosje voluminoze prej 161 faqesh, e paraqitur të hënën mbrëma, prokurorët kundërshtuan kërkesën e artistit për një dënim të shkurtuar prej vetëm 14 muajsh, që korrespondon me kohën e kaluar në paraburgim.

Sipas tyre, Combs nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese dhe ka tentuar të fajësojë viktimat.

Combs ka treguar vazhdimisht se interesohet vetëm për pushtetin dhe kontrollin. Vetëm një dënim i gjatë do të shërbejë si paralajmërim dhe do t’u japë viktimave të ardhshme besimin se drejtësia nuk ndikohet nga fama apo pasuria

-theksojnë prokurorët, të cilët kanë kërkuar gjithashtu edhe gjobën maksimale prej 500 mijë dollarësh.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Lirimit me Kusht ka rekomanduar një dënim më të butë, mes pesë dhe shtatë viteve. Prokurorët dorëzuan gjithashtu letra nga ish-partnerja Cassie Ventura, prindërit e saj dhe ish-punonjës të Combs, ku përshkruhen frika dhe pasojat e rënda që u ka shkaktuar atyre sjellja e reperit.

Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet më 3 tetor. Combs u shpall i pafajshëm në korrik për akuzat më të rënda, përfshirë shantazhin dhe trafikimin e qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, por mbetet nën hetim sipas Aktit Mann, i cili parashikon deri në 10 vite burg për çdo shkelje.