Aktualitet

Seanca për Gërdecin, Mediu: Nuk kisha autoritet për kalibrat!

Sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Pas seancës, ish-ministri Mediu foli për gazetarët e përsëriti se si ministër nuk ka pasur përgjegjësi për kalibrat, por gjithnjë merret parasysh mendimi i shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë që është këshilltar edhe i kryeministrit dhe presidentit.

Një ministër nuk mund të japë mendim për kalibrat. Mendimi vjen i firmosur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, këshilltari i lartë ushtarak edhe i kryeministrit dhe presidentit. Ministri nuk mund të ketë autoritet për ta pyetur. Nuk do ishte korrekte dhe nuk do kishte mundësi ta bëjë. Nuk mund të vërë në mëdyshje akte që janë programi si demontimi apo praktika të mbrojtjes si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, tha Mediu.

Ish-ministri Fatmir Mediu po përballet në GJKKO me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për ngjarjen e ndodhur në 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.