Aktualitet

Sekuestrohen 3.4 kg kokainë në Muriqan, arrestohet shoferi!

Një sasi prej 3.4 kg kokainë u sekuestrua në pikën kufitare të Muriqanit, ndërsa drejtuesi i furgonit ku transportohej droga u arrestua. Në furgon u gjetën gjithashtu 60 shishe pije alkoolike dhe një televizor, që dyshohet se ishin kontrabanduar. Gjatë operacionit u arrestua Adriatik Rrasa, 32 vjeç, banues në Lushnjë, i cili drejtonte furgonin. Droga ishte ndarë në tre pako, e fshehur në tavanin e makinës. Policia ka ushtruar kontroll në makinë me qen antidrogë, çka çoi në zbulimin e lëndës narkotike.

Si rezultat i intensifikimit të punës dhe kontrolleve në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, lëvizjen e sigurt të shtetasve, si dhe eliminimin e radhës gjatë kësaj periudhe festive, shërbimet e PKK Muriqan, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Adriatik  Rrasa, 32 vjeç, banues në Lushnjë.

Nga kontrolli i kryer në furgonin që drejtonte 32-vjeçari, në hyrje të Shqipërisë, u gjetën 3.430 kg Kokainë, e ndarë në 3 pako. Gjithashtu, u gjetën 60 shishe me pije alkoolike dhe 1 televizor, që dyshohet se janë të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.

Automjeti, lënda narkotike dhe mallrat e kontrabanduara u sekuestruan nga policia si prova materiale. Operacioni, i koduar “Pakot”, u zhvillua nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër.

Materialet hetimore i janë dorëzuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.