Senati Amerikan konfirmoi Pete Hegsethin në postin e sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, pas një votimi të ngushtë.
Hegseth u konfirmua pasi zv.presidenti J.D. Vance hodhi votën vendimtare kur votimi ishte 50 pro dhe 50 kundër në Senatin e udhëhequr nga republikanët. Tre republikanë iu bashkuan 47 senatorëve demokratë dhe të pavarur për të votuar kundër tij.
44-vjeçari do të drejtojë gati 2.1 milion gra e burra në uniformë, rreth 780.000 punonjës civilë dhe një buxhet prej 850 miliardë dollarësh.
Si një ish-veteran i luftës dhe dikur prezantues televiziv në Fox News, Hegseth është zotuar se do të sjellë një “kulturë prej luftëtari” në Pentagon.
Gjatë procesit të nominimit, ai u përball me dyshime nëse është mjaftueshëm i kualifikuar dhe me akuza se përdor me tepri pijet alkoolike dhe se ka sjellje agresive ndaj grave, por presidenti Donald Trump i qëndroi përkrah.
Lideri i shumicës në Senat, John Thune, tha se Hegseth, veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan, “do të sjellë një pikëpamje prej luftëtari” në detyrën më të lartë ushtarake.
Fokusi i Pentagonit do të jetë në luftë.
Në deklaratën e hapjes para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura më 14 janar, Hegseth tha se programet për shumëllojshmëri, barazi dhe gjithëpërfshirje e politizojnë ushtrinë.
Hegseth i pati mohuar akuzat për sjellje abuzive ndaj grave dhe u zotuar se nëse konfirmohej, nuk do të pinte gjatë punës. Por, demokratët mbetën skeptikë dhe qëndruan të bashkuar në kundërshtimin e tyre.
Është Pete Hegseth me të vërtetë më i miri që mund të ofrojmë?
Pyetjen e shtroi senatori demokrat, Jack Reed, anëtar në Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, në një fjalim para votimit.
Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Mitch McConnell ishin tre senatorët republikanë që votuan kundër konfirmimit të Hegsethit.
Murkowski tha në një deklaratë se sjelljet e Hegsethit “bien në kundërshtim të fortë” me atë që pritet nga ushtria.
Unë mbetem e shqetësuar për mesazhin që konfirmimi i Hegsethit ua dërgon grave që aktualisht shërbejnë dhe atyre që aspirojnë t’i bashkohen ushtrisë.
Collins shtoi se pas një diskutimi të gjatë me Hegsethin nuk ishte “e bindur që qëndrimi i tij mbi rolet e grave që shërbejnë në luftime, ka ndryshuar”.
McConnell, ish-lideri i shumicës në Senat, kishte thënë më herët në një fjalim se do të votonte për t’i konfirmuar në pozicione të larta të sigurisë kombëtare ata kandidatë “e kaluara dhe përvoja e të cilëve i bën ata asete të menjëhershme, jo pengesa”.