Rajoni

Serbi, 51 persona me simptoma helmimi nga një rrjedhje amoniaku!

Në Pirot, në juglindje të Serbisë u shpall gjendja e jashtëzakonshme pasi 51 persona u dërguan në spital me simptoma helmimi. Mësohet se shkak u bë një rrjedhje amoniaku pas përmbysjes së vagonit të një treni mallrash, ngjarje e ndodhur një natë më parë. Kryetari i komunës së Pirotit, Vladan Vasiç shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, siç njoftoi TV N1, ndërsa institucionet u mbyllën sot në kuadër të masave paraprake.

Sipas informacioneve nga Qendra Klinike Universitare në Nish, në mjediset e spitalit mbahen të shtruar 15 persona, mes tyre 12 të rritur e tre fëmijë, që të gjithë me simptoma të helmimit. Në njoftimin zyrtar theksohet:

Pacientët janë në gjendje të qëndrueshme e jashtë rrezikut për jetën. Në spital qëndrojnë të shtruar nga orët e mbrëmjes.

Ministria serbe e Punëve të Brendshme njofton se “pati rrëshqitje të vagonit në trenin e mallrave që transportonte amoniak e kjo çoi në rrjedhje gazi përhapje të konsiderueshme të tij në ajër. Qytetarëve që jetojnë pranë vendit të ngjarjes, autoritetet serbe iu bëjnë thirrje “të mos largohen nga shtëpitë e të mos dalin jashtë”. Trafiku hekurudhor në zonë është ndërprerë.

Punëtorët e turnit të dytë në fabrikën e gomave “Tigar Tires” në Pirot të Serbisë u evakuuan, ndërsa siç njoftojnë burime mediatike, ata të turnit të tretë nuk do të punojnë për momentin.

Aksidentin hekurudhor e bëri të ditur vetë kompania transportuese “Srbija Kargo”, e cila njoftoi se bëhet fjalë për trenin e mallrave që udhëton çdo ditë, duke transportuar lëndë të parë nga Bullgaria për në Prahovë e Shabac. “Srbija Kargo” thekson se nuk ka viktima apo të lënduar.