Autoritetet e Serbisë kanë arrestuar në pikën kufitare të Mutivodës, shtetasin e Kosovës Osman Selmanin nën dyshime për krime lufte.
Familjarët e Selmanit kanë njoftuar se ai u arrestua dy ditë më parë teksa po kthehet nga Medvegja dhe tashmë ndodhet në Beograd.
“Ju njoftojmë se babai ynë, Osman Selmani, është arrestuar më 01.07.2026 në pikën kufitare Mutivodë, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Aktualisht, ai ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, përballë akuzave të cilat ne, si familje, i konsiderojmë të pabazuara dhe të pavërteta”, njoftuan familjarët.
Autoritetet serbe ndërkohë kanë njoftuar se ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Beograd.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në anën tjetër thotë se Osmani u arrestua nën dyshimin për krime lufte.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e autoriteteve serbe.