Sport

Shanset e Milanit ndaj Feyenoord, Donadoni: Kuqezinjtë ia dalin, nëse ndryshojnë marsh

Tekniku i njohur, Roberto Donadoni foli së fundmi për shanset që ka Milani për kualifikimin në Champions, pas humbjes 1-0 në takimin e parë ndaj Feyenoord.

Donadoni, si e sheh Milanin para ndeshjes së nesërme?

Jo në maksimum, nëse shohim rezultatin e ndeshjes kundër Veronës. Fitoi në shtëpi dhe me një rezultat të ngushtë kundër një skuadre që është në luftë për mbijetesë, me të cilën diferenca në nivelin teknik është e madhe. Megjithatë, pas humbjes në Rotterdam, ishin të nevojshme tri pikët për të dhënë një sinjal.

Për të përmbysur disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë do të duhet një Milan tjetër…

Ndeshja e nesërme është tepër delikate, një pikë kyçe për sezonin. Shpresoj që Milani ta kalojë këtë pengesë.

LEXO EDHE: Këmbët apo mendja? Te Milani mundohen të gjejnë problemin

A jeni optimist?

Po, nëse do të ketë një ndryshim ritmi, përndryshe pas disa ditësh do të jemi duke bërë të njëjtat diskutime si në fillim të sezonit.

Në lidhje me merkaton, të kesh Gimenez te Milani dhe jo kundërshtar është një avantazh i madh…

Është një sulmues që më ka dhënë ndjesi të mira, pasi është teknik dhe ka ndjeshmëri për golin. Është një futbollist i rëndësishëm, një numër 9 që ka nisur mirë. Dy golat në Serie A janë një start i mirë.

Ka ardhur edhe Joao Felix…

Mua më pëlqejnë lojtarë si ai, pasi ka cilësi, është i shpejtë, i mençur dhe i mirë në krijimin e superioritetit numerik. Duhet të gjejnë kontekstin e duhur për ta integruar, por paraqitjet e tij të para janë inkurajuese.