Në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtatë vetë humbën jetën dhe të paktën gjashtë u plagosën në Brownsville, të përplasur nga një makinë teksa prisnin në një stacion autobusi pranë një qendre emigrantësh. Policia amerikane raportoi për një “veprim të qëllimshëm”. Nuk përjashtohet që drejtuesi të ketë qenë nën ndikimin e drogës apo alkoolit. Kryesisht, viktimat janë emigrantë nga Venezuela.
Personi që shkaktoi tragjedinë u transportua në spital ku mbahet nën mbikëqyrjen e policisë. Brownsville ndodhet pranë kufirit meksikan.
Pamjet e kamerave të sigurisë
Drejtori i qendrës së emigrantëve, Victor Maldonado bëri të ditur se ai pa pamjet e kamerave të sigurisë së qendrës, pasi u njoftua për përplasjen e njerëzve.
Në video shihet se fuoristrada kaloi semaforin që ishte rreth njëqind metra larg dhe iu drejtua njerëzve të ulur në stacionin e autobusit. Stacioni i autobusit gjendet përballë qëndrës e nuk ka sinjalistikë. Nuk kishte stola dhe njerëzit që prisnin u ulën përgjatë trotuarit.
Qendra e Emigrantëve Brownsville
Ozanam është i vetmi vendstrehim për të kaluar natën në qytetin Brownsville.
Në dy muajt e fundit kemi marrë 250 deri në 380 njerëz në ditë. Në këto mjedise mund të strehohen 250, por shumë prej atyre që vijnë, largohen në të njëjtën ditë.
Javët e fundit, shtimi i kalimeve kufitare e ka shtyrë qytetin të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pasi burimet lokale, shtetërore dhe federale koordinojnë zbatimin e ligjit e reagimin humanitar. Qendra u ofron emigrantëve një shërbim transporti gjatë javës, por, gjithashtu ata janë të lirë që të përdorin transportin publik të qytetit.