Rajoni

SHBA-BE kundër vendimeve të Republikës Sërpska!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kundërshtuan një sërë ligjesh të miratuara nga autoritetet e Republikës Serbe, të cilat ndalojnë gjyqësorin dhe policinë shtetërore të Bosnjës të veprojnë në pjesën e kontrolluar nga serbët.

Ligjet kanë nxitur tensione në vendin ballkanik të ndarë etnikisht dhe zyrtarët boshnjakë u ankuan në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se ligjet e miratuara një javë më parë nga ligjvënësit serbë të Bosnjës e të nënshkruara nga presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, shkelin Kushtetutën e Bosnjës dhe një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës së viteve 1992-1995.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bosnje u shpreh thellësisht e shqetësuar me dekretimin e ligjeve.

Jemi të vendosur në çuarjen përpara të interesave tona në Bosnjë-Hercegovinë. Për 30 vjet, angazhimi ynë ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe një Bosnje të qëndrueshme e të sigurt ka qenë i palëkundur. Ky është një provokim i qëllimshëm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës dhe paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e vendit e për objektivat strategjike të SHBA-ve.

Për të gjithë udhëheqësit politikë dhe veçanërisht për ata që qëndrojnë pas këtyre vendimeve, mesazhi ynë është ky: Përmbahuni nga përfshirja në veprime të mëtejshme destabilizuese e retorikë nxitëse! Angazhohuni në dialog politik konstruktiv dhe të përgjegjshëm!

Mbështetni institucionet demokratike të Bosnjës dhe sundimin e ligjit e bëni pjesën tuaj për të ulur temperaturën politike. Qytetarët që juve ju shërbeni nuk meritojnë më pak. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e rrugën e saj drejt integrimit të plotë në komunitetin euro-atlantik.

Bashkimi Evropian tha se ligjet “dëmtojnë rendin kushtetues dhe ligjor” të Bosnjës, funksionalitetin e institucioneve dhe kërcënojnë liritë themelore të qytetarëve të saj.

Republika Serbe duhet të veprojë në përputhje me ligjet e Bosnjës dhe kushtetutën e saj. BE-ja i bën thirrje udhëheqjes politike të entitetit të Republikës Serbe që të përmbahet e të heqë dorë nga retorika dhe veprimet provokuese, përçarëse, duke përfshirë vënien në pikëpyetje të sovranitetit, unitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës.

Serbët e Bosnjës miratuan ligjin pasi një gjykatë boshnjake dënoi Milorad Dodikun, presidentin pro-rus të Republikës Serbe muajin e kaluar me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalim të përfshirjes në postet publike, për shkak të veprimeve ndarëse të tij.