Në Bosnjë-Hercegovinë, qytetarët me të drejtë vote të Republikës Sërpska janë thirrur të votojnë për të zgjedhur një president të ri. Kjo pasi Milorad Dodik u shkarkua se shpërfilli të dërguarin e posaçëm ndërkombëtar për paqen në vendin ballkanik.
Dodik u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në muajin gusht, i dënuar për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr marrëveshjen e paqes, akord që e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar prej përfundimit të luftës ndëretnike të viteve ‘90.
Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS), një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah Federatës Boshnjako-Kroate nënkuptojnë se fituesi do të drejtojë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme, në tetor të vitit 2026.
Këto votime po shihen si një provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, në pushtet për gati dy dekada. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen më 19:00.
Rreth 1.2 milion persona me të drejtë vote mund të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, por dy prej tyre konsiderohen favoritë. Ata janë:
Sinisa Karan, ish-ministër i Brendshëm, është aleat i ngushtë dhe zgjedhja personale e Dodikut, i cili mbetet kryetar i partisë Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
Grupi kryesor i opozitës, Partia Demokratike Serbe (SDS), zgjodhi Branko Blanusën, një profesor relativisht i panjohur i Inxhinierisë Elektrike. 56 vjeçari, vazhdimisht akuzon Dodikun dhe partinë e tij për korrupsion.
Zgjedhjet po mbahen pas vitesh përplasjeje mes përfaqësuesit të lartë të Bosnjës, Christian Schmidt dhe Dodikut, përplasje që sipas shumë analistëve e çuan vendin në prag të krizës më të rëndë politike, që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995.
Në fillim të këtij viti, Dodik u dënua dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për 6 vjet, për shkak të moszbatimit të vendimeve të Schmidtit.
Pasi fillimisht e shpërfilli vendimin për muaj të tërë, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Kremlinin, e pranoi papritur shkarkimin nga posti. Gjatë fushatës, Karan u promovua si vazhdimësi e trashëgimisë së Milorad Dodikut. Ndërkohë, Blanusa ka fajësuar politikat e Dodikut për rrezikimin e së ardhmes së entitetit, duke e akuzuar për korrupsion.