Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulmin e Banjskës.
Personat e larguar në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe të ndiqen penalisht.
Amerika po punon nga afër me Bashkimin Europian dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar që veriu i Kosovës me shumicë serbe të jetë i qetë. Uashingtoni u bëri thirrje palëve që të kthehen në dialog, të përgatitur “që të ndërmarrin hapa konkretë përpara”.
Eshtë e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Kosovën për “shtypje” të serbëve.
Kemi shumë pyetje për ngjarjet në Banjskë. E para, pse përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk u përfshinë? Në ngjarje të ngjashme në të kaluarën, EULEX-i ka patrulluar zonën dhe KFOR-i ka shkuar menjëherë për të ndarë palët. Tani e gjithë situata iu la në dorë shqiptarëve të Kosovës, çka çoi në këtë përfundim tragjik. Perëndimi nuk priti për hetimet, por menjëherë e quajti sulm të tmerrshëm.
Përfaqësuesi i Kinës në OKB tha se Pekini mbështet një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, akuzoi Prishtinën për rritjen e tensioneve në veri.
Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të autoriteteve të Kosovës që rritën tensionet dhe u bëjmë thirrje që t’i kthehen dialogut dhe konsultimeve! Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe!
Si Kina, ashtu Rusia nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008-ën.
Shefja e UNMIK-ut kërkon rikthimin në dialogun e Brukselit
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, foli për “incidentin e sigurisë” në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator. Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Eshtë thelbësore që hetimet të ofrojnë mundësinë për ta dokumentuar me fakte këtë ngjarje e për t’i mbajtur autorët, përgjegjës. Palët t’i kthehen dialogut! Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa për shtensionimin e situatës. Duhet kompromis politik në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Dialogu është e vetmja rrugë përpara.
Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator. Gjatë takimit, Amerika përsëriti qëndrimin se UNMIK-u nuk ka rol në Kosovë dhe kërkoi që të përfundojë mandati i këtij misioni. Në të kaluarën, edhe Kosova ka kërkuar që mandati i UNMIK-ut në Kosovë, të përfundojë.