Bota

Shembet gropa e rërës që hapi për të luajtur, vdes 17-vjeçari në Itali!

Tregjedi në plazhin Montalto di Castro, në Viterbese të Italisë. Një 17-vjeçar nga Roma humbi jetën i bllokuar në një gropë me rërë që e kishte hapur vetë, rreth 1 metër e gjysmë e thellë. Ngjarja e rëndë ndodhi në një plazh ku i mituri po pushonte me familjen.

Sipas mediave italiane, adoleshenti kishte hapur një gropë rreth një metër e gjysmë të thellë për t’u argëtuar, por për fat të keq e zuri brenda. Në atë moment, motrat dhe vëllezërit e tij më të vegjël ishin larguar duke e lënë vetë viktimën. Babai i tyre nuk e kishte kuptuar çfarë po ndodhte e kur konstatoi mungesën, nisën kërkimet në zonë.

Falë ndihmës së fëmijëve më të vegjël, vendndodhja e gropës u identifikua dhe filloi menjëherë përpjekja për ta shpëtuar adoleshentin, por pa sukses. Raportohet se ndihma mbërriti tepër vonë. Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe një helikopter me personel mjekësor. 17-vjeçari u shpall i vdekur.

Tragjedia ka shkaktuar reagime të shumta dhe është bërë thirrje për më shumë kujdes dhe mbikëqyrje në plazhe. Hapja e gropave të rërës konsiderohet si rrezik i nënvlerësuar. Në Shtetet e Bashkuara, ato kanë shkaktuar më shumë viktima se peshkaqenët.

Në Amerikë, vdekjet e shkaktuara nga gropat me rërë dhe tunelet janë më të shumta se ato nga përballjet e afërta me peshkaqenët. Këto të dhëna dalin nga një studim i vitit 2007, i kryer nga studiuesit amerikanë Bradley e Barry Maron e që mbulon periudhën mes viteve 1990 e 2006.

Sipas të dhënave nga Universiteti i Floridës, vdekjet e lidhura me peshkaqenët arritën në vetëm 12, plot katër më pak se ato të shkaktuara nga ajo që ka filluar të quhet “bllokim rëre” në Amerikë. Duke e zgjeruar analizën në gjysmën e dytë të viteve 1980, gropat në plazhe përbënin deri në 20 tragjedi vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tetë raste të tjera të ngjashme ndodhën në brigjet e Australisë, Zelandës së Re e të Anglisë.