Ka mjaftuar rënia e një tabele për të krijuar konfuzion dhe tension në plazh. Në Porto Ferro të Italisë turistët dhe familjet janë përballur me një situatë të pazakontë pasi nudistët pushtuan zonën e plazhit publik pranë familjeve dhe fëmijëve, sepse tabela që ndante hapësirat kishte rënë. Sipas mediave italiane, prej vitesh në Porto Ferro ekziston një zonë e dedikuar për ambientalistët, e ndarë qartë nga pjesa tjetër e plazhit. Por këtë herë, mungesa e tabelës orientuese ka bërë që shumë nudistë të vendosen në zonën e zakonshme të pushuesve.
Dhe problemi nuk mbaroi aty. Sipas dëshmive të pushuesve, pasi u vunë re nga familjarët, disa prej nudistëve nuk pranuan të lëviznin, madje reaguan me nervozizëm dhe përgjigje jo shumë miqësore. Në plazh nuk munguan momentet e sikletshme dhe debatet, ndërsa disa prindër kërkuan rikthimin e menjëhershëm të tabelës ndarëse për të shmangur “surprizat” në rërë. Banorët dhe pushuesit tani kërkojnë më shumë qartësi dhe organizim, që edhe naturistët, edhe familjet të mund të shijojnë detin pa tension dhe pa konfuzione “të zhveshura”.
Prej dekadash, Gjermania është njohur si vendi më i hapur ndaj nudizmit në publik, falë traditës së saj historike Freikörperkultur (FKK). Por një studim i ri i institutit “YouGov”, i realizuar në gjashtë vende të Evropës Perëndimore, tregon se Danimarka ka kaluar në krye të listës si shteti më tolerant dhe praktik ndaj lakuriqësisë. Sondazhi u zhvillua në Danimarkë, Gjermani, Spanjë, Francë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke analizuar qëndrimet e qytetarëve ndaj zhveshjes në hapësira publike dhe private. Rezultatet zbuluan se danezët janë jo vetëm më të hapur ndaj nudizmit si ide, por edhe më aktivë në praktikimin e tij.