Botë e Çuditshme

Shkencëtarët amerikanë kërkojnë përgjigjen e pyetjes më të madhe: Pse ekziston Universi?

Në një laborator të ndërtuar thellë nën pyjet e mjegullta të Dakotës së Jugut, shkencëtarët amerikanë janë në kërkim të një përgjigjeje për një nga misteret më të mëdha të shkencës: pse ekziston Universi.

Në kuadër të eksperimentit të quajtur “Deep Underground Neutrino Experiment” (DUNE), studiuesit po përpiqen të kuptojnë pse materia mbizotëron mbi anti-materien – një enigmë që teoritë aktuale të fizikës nuk arrijnë ta shpjegojnë.

Sipas BBC, shkencëtarët do të përdorin grimca nën-atomike të quajtura neutrino dhe anti-neutrino, duke i dërguar ato nga një laborator në Illinois drejt detektorëve të ndërtuar 1500 metra nën tokë në Dakotën e Jugut.

Këto detektorë janë vendosur në tre shpella gjigante që izolojnë eksperimentin nga çdo ndikim i jashtëm.

Ne jemi gati të ndërtojmë detektorin që do të ndryshojë të kuptuarit tonë për universin,

tha Dr. Jaret Heise, një prej drejtuesve të projektit.
Kur u krijua Universi, materia dhe antimateria u shfaqën në sasi të barabarta – dhe teorikisht duhej të kishin asgjësuar njëra-tjetrën.

Por fakti që ekzistojmë tregon se ndodhi diçka ndryshe. Studiuesit shpresojnë se studimi i mënyrës se si ndryshojnë neutrinot dhe anti-neutrinot gjatë udhëtimit mund të zbulojë pse materia mbijetoi.

Eksperimenti është një përpjekje ndërkombëtare me mbi 1500 shkencëtarë, por rezultatet përfundimtare priten pas disa vitesh. Deri atëherë, pyetja se çfarë ndodhi në fillim të kohës mbetet ende pa përgjigje.