Music

Shqip Hop Fest/Reperi The Game nesër koncert në Tiranë, super atmosferë me të ftuar special!

Më 5 Prill 2025, Sheshi Skënderbej do të kthehet në epiqendrën e hip-hopit, teksa legjenda botërore THE GAME do të performojë për herë të parë në Shqipëri! Në kuadër të turit të tij global për 20-vjetorin e albumit ikonik “The Documentary”, ai do të sjellë një show të paharrueshëm, plot energji dhe nostalgji për të gjithë fansat e vërtetë të rap-it.

I ftuar në studion e “Wake Up”, ka qenë Gerhard Veizi, organizator i këtij eventi kaq special, për të na zbuluar më shumë rreth koncertit dhe të ftuarve që do të jenë pjesë e tij…

Si u arrit ardhja e The Game në Shqipëri?

Kemi më shumë se një vit e gjysmë që punojmë për këtë, kemi patur kontaktet që në 2023. Ishte supozuar që ky koncert të ndodhte në fund të 2023, por për arsye të problemeve logjistike The Game nuk mundi të vinte asokohe jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Evropën. Tani që ishte 20 vjetori, ne e kishim kontaktin dhe komunikimin të vendosur.

Çfarë duhet të presin njerëzit nga ky koncert?

E veçanta është se The Game është një superstar i kulturës hip-hop dhe ne nuk na bie shpesh të shohim artistë të këtij kalibri. Është për të gjithë, si për artistët pjesëmarrës, si për artistët e rinj, por dhe për audiencën, të marrë një eksperiencë të re, një performancë të klasit botëror. The Game vjen me një band muzikore live, është shumë e kuruar si performancë. Është një mundësi shumë e mirë dhe për artistët që janë pjesë, të ndajnë skenën me një artist të këtij kalibri. Për shkak të kushteve atmosferike, eventi do të zhvendoset në parkingun nëntokësor po prapë tek Sheshi Skënderbej. Kështu që do të japim një ndjesi më të fortë hip-hopit, sepse si rrymë është underground. Kërkesa ka qenë shumë e lartë, janë shitur diku tek 2300-2400 bileta. Kush do të marrë pjesë, të nxitojë.

Dyert hapen në orën 18:00, kemi dy orë hapje me performanca nga DJ, rreth orës 20:00 kemi live Aldo, West Side Family, Mr Elvis. Dëshira jonë është përveç se të promovojmë talente të reja, t’i japim dhe lule pionerëve dhe atyre që kanë haur rrugën e parë për këtë kulturë. Kështu që më pas vazhdojmë me Ronelën, Elain. Në fund është performanca e The Game. Eventi do të zgjasë rreth 6 orë, nga ora 18:00 deri në mesnatë.