Më 5 prill, Shqip Hop Fest sjell për herë të parë në Shqipëri The Game, me performanca nga Elai, Ronela Hajati, West Side Family. Sheshi Skënderbej do të kthehet në epiqendrën e hip-hopit, teksa legjenda botërore The Game, do të performojë për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të turit të tij global, për 20-vjetorin e albumit ikonik. Ai do të sjellë një show të paharrueshëm plot energji dhe nostalgji për të gjithë fansat e vërtetë të rrepit. Hite që kanë bërë histori me një performancë të fuqishme, që vetëm një ikonë e hip-hopit si The Game mund të sjellë.
I ftuar në studion e “Live From Tirana” për të folur më shumë për këtë event, ka qenë Roland Hysi nga West Side Family, që do të hapin shfaqjen e Shqip Hop Fest para se The Game të vijë në skenë. Landi na ka treguar më shumë për këtë festival dhe çfarë të presim…
Unë jam një nga të ftuarit dhe që ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar. Emri i grupit tonë është West Side Family, që pikërisht është frymëzuar nga krahu perëndimor i Amerikës i hip-hopit të kohës. The Game është një nga ikonat e krahut perëndimor, që ka ardhur më mbrapa nga Snoop Dogg, Dre, etj. Ne kemi qenë fansa të The Game që kur doli në fillim. Madje Xhiku e pikasi dhe tha se ky ka për të qenë e ardhmja e hip-hopit. Dhe ishte e vërtetë. Kënga sa kishte dalë në 2005, “This is how we do”, një këngë dhe album fantastik i realizuar nga Dre. Dhe ne jemi shumë të nderuar që do të jemi në pjesën hapëse të The Game. Një koncert që është organizuar nga Geri, një djalë që ka organizuar aktivitetin e Shqip Hop, diçka që duhet ruajtuar, promovuar dhe mbështetur. Sepse Shqip Hop është platforma që i krijon mundësinë të gjithë shqiptarëve të rinj, fansa dhe lëvrues të muzikës hip-hop, të kenë mundësi të shpalosin talentin e tyre. Është folur që të vinin më përpara, jo vetëm The Game por dhe emra të tjerë të hip-hopit, por kërkon një mbështetje shumë të madhe që të mbërrihet. Më në fund u mbërrit dhe është një event dhe një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata që janë dashamirës të hip-hopit, të shikojnë një legjendë të hip-hopit në krah të West Side.
Shqip Hop është një nga aktivitet më të mirë që i ka dhënë mundesi talenteve të reja, por dhe atyre që kanë qenë. Është bërë një miks shumë i bukur i West Side të viteve 2002 dhe atyre që janë pak të mëvonshëm. Ndihemi shumë të nderuar që jemi përzgjedhur nga organizatorët, sepse jemi ai brezi që përfaqëson të shkuarën dhe jemi me një brez të ri. Ka një miks shumë të bukur që do të bëjnë një hyrje të këngëtarit The Game. Është një moment shumë i veçantë për ne si grup. Besoj se do jetë e paharrueshme, është një moment historik dhe legjendar për ne.