Sot në Tiranë u nënshkrua protokolli që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë. Sipas marrëveshjes së firmosur vitin e kaluar, firmat i hodhën ministrat e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Xhelal Sveçla. Sipas tyre, ky protokoll është një tjetër hap përpara në këtë proces lehtësimi. Krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të banorëve.
Pas nënshkrimit të dokumentit, ministri Çuçi u shpreh:
Do të doja të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po i mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 km të secilit vend, të ishte për të gjithë territorin e Kosovës e Shqipërisë. Por, deri atëherë meqë jetojmë në Europë dhe jemi bashkësi e Europës duhet të respektojmë këto marrëveshje ndërkombëtare në të cilat jemi pjesë. Deri atëherë bëjmë të pamundurën që shtetasit tanë të qarkullojnë sa më lirshëm.
Përmirësimet e sotme janë në funksion të kësaj lehtësie, që krijojmë për shtetasit tanë. Eshtë shumë interesante kur e shikon të zbatuar marrëveshjen në terren dhe eksperienca që ministri Sveçla e përjetoi pasi vizitoi të gjithë vijën kufitare ku kemi këtë lehtësi me qarkullimin është shumë e rëndësishme sepse e shikon vërtet që njerëzit përfitojnë.
Ministri Sveçla tha:
Puna jonë e vazhdueshme po sjell rezultate, po kërkon përmirësim të vazhdueshëm të marrëveshjeve në mënyrë që të lehtësojmë jetën e qytetarëve dhe të jemi në shërbim të tyre sa më shumë të jetë e mundur.
Me nënshkrimin e këtij protokolli, jo vetëm që do t’i afrojmë institucionet, por edhe qytetarët e dy vendeve e po ashtu jam i bindur se nuk do të jetë marrëveshja e fundit, por do të ketë një vazhdimësi marrëveshjesh, të cilat i kemi nënshkruar dhe do vazhdojmë t’i nënshkruajmë deri sa të vijë koha që qytetari i dy vendeve të mos dijë se ku ndodhet apo ku punon.