Aktualitet Sociale

Shqipëria arrin vendet e pasura për plakjen e popullsisë!

Emigracioni dhe rënia e lindjeve i kanë plakur shpejt popullsitë e vendeve në tranzicion, duke e bërë edhe më të vështirë përshtatjen e tyre me kushtet e reja demografike. Në një publikim të fundit mbi çështjet e emigracionit, Banka Botërore vuri në dukje se ndryshe nga vendet e tjera në tranzicion, Shqipëria ka arritur vendet e zhvilluara për plakjen e popullsisë.

Varësinë ndaj të moshuarve, Shqipëria e ka njësoj si vendet e zhvilluara dhe më të lartën nga vendet në zhvillim, të prekura nga emigracioni.

Varësia ndaj të moshuarve (popullsia +65 vjeç në raport me popullsinë në moshe pune) është e njëjtë si në vendet me të ardhura të larta. Varësia ndaj të moshuarve është më e ulët në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, si Rusia, Tailanda, Moldavia, Kina dhe mesatarja e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Banka Botërore vë në dukje se në Shqipëri, përqindja e të moshuarve në varësi të popullsisë në moshe pune është shumë më e lartë se në vendet me të njëjtën kategori të ardhurash. Në grupin e vendeve më të ardhura të mesme të larta, ky tregues është 8%, ndërsa në Shqipëri në 16%, njësoj si në vendet me të ardhura të larta që po vuajnë prej dekadash nga plakja e popullsisë.

Banka analizoi se emigracioni lartë dhe rënia e fortë e lindjeve po plakin me shpejtësi vendet më të ardhura të ardhura të mesme. Por, emigrimi përveç kontributit pozitiv që ka në remitanca, thellon plagët sociale.

Prindërit emigrantë krijojnë një seri problemesh sociale që lidhen me familjet dhe fëmijët të lënë në vendin e origjinës. Banka vuri në dukje se në Shqipëri ka një braktisje më të madhe të shkollës ndër fëmijët e prindërve emigrantë, që gjithashtu janë në një gjendje më të rënduar psikologjike se fëmijët e tjerë.

Por, nga ana tjetër emigracioni ka ndihmuar në rënien e varfërisë në Shqipëri. Remitancat janë gati sa dyfishi i të ardhurave për frymë në familjet në 30% e poshtëm të konsumit.

Familjet që marrin remitanca rrisin shpenzimet e tyre, çka nxit aktivitetin ekonomik lokal dhe të ardhurat për familjet e tjera në komunitet. Shpenzimet nga remitancat krijojnë vende pune në sektorë të patregtueshëm si ndërtimi.

Në Shqipëri, emigrantët ndërkombëtarë priren të investojnë në biznese e banesa në kryeqytet, Tiranë, në vend të fshatrave të tyre të origjinës, duke nxitur tregun e punës në zonat urbane. Por më përqendrimin e investimeve në Tiranë, ata nxisin më tej uljen e popullsisë së qyteteve të tjera drejt kryeqytetit analizoi Banka./Monitor