Aktualitet

Konkursi Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”, shpallet projekti fitues

Pesë ekipe me emra të njohur të arkitekturës ndërkombëtare u bënë pjesë e garës sot në Durrës për të projektuar kampusin e ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Fitues në këtë garë u shpall Projekt ideja e 51N4E me JESHILE Landscape Design dhe Blerta Kambo.

Pas muajsh pune, bashkëpunimi dhe hartimi të projekt-ideve, universiteti mbërriti sot në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Masterplanin e Kampusit Universitar, një proces që synon të përcaktojë vizionin e ri të një prej hapësirave më të rëndësishme akademike në vend.

Pesë ekipet finaliste prezantuan propozimet e tyre për transformimin e kampusit në një hapësirë moderne, funksionale dhe të orientuar drejt së ardhmes, në një garë që konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e universitetit.

Në garë ishin studio dhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që sjellin vizione të ndryshme për mënyrën se si duhet të jetë kampusi i së nesërmes.

Mes finalistëve ishin 51N4E me JESHILE Landscape Design dhe Blerta Kambo; Bjarke Ingels Group- BIG me Architevo Design Collective, Embrace Ideas, Kristo Krisiko, Rider Levett Bucknall, HSC Studio dhe Ergys Çaushi; FRPO Rodriguez & Oriol me PORRAS & LA CASTA Arquitectos, Studio B&L, Agim Seranaj dhe Adrian Paci; OZ Architects me iRI Architecture, Felixx, Studio Sabine Marcelis dhe BUROMILAN; si dhe PRÁCTICA me STUDIO-REBUS, Ana Horhat dhe Ledia Kostandini.

Pjesë e jurisë ishin edhe rektori i universitetit Shkëlqim Fortuzi, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, drejtorja e AKPT Adelina Greca, ajo e AZHT Adelajda Roka, si dhe emra të njohur të arkitekturës dhe urbanistikës si Christian Kerez, Wilfried Kuehn, Lorena del Río, Pier Paolo Tamburelli dhe João Nunes. Për herë të parë në juri është përfshirë edhe një përfaqësuese e studentëve.

Për Universitetin “Aleksandër Moisiu”, ky konkurs shihet si një hap i madh drejt kampusit të së ardhmes, jo vetëm si projekt ndërtimi, por si një investim në cilësinë e arsimit të lartë, jetën studentore dhe zhvillimin urban të Durrësit.