Bota

Shtëpia e Bardhë paralajmëron Iranin që të arrijë marrëveshje me SHBA-të!

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Iranin se do të ishte “i mençur” që të arrinte një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, sërish aludoi në një veprim ushtarak.

Të dyja palët kanë rinisur bisedimet indirekte, të ndërmjetësuara nga Omani, pasi Trump vazhdimisht kërcënon me një veprim ushtarak kundër Iranit për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave muajin e kaluar.

Përpjekjet e kaluara për negociata dështuan pasi Izraeli kreu sulme të befasishme ndaj Iranit qershorin e vitit të kaluar, duke nisur një luftë 12-ditore, gjatë së cilës Uashingtoni kreu po ashtu bombardime ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit.

Irani do të ishte shumë i mençur nëse do të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe administratën e tij, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Një ditë më parë, Trump sugjeroi se SHBA-të mund ta sulmojnë Iranin, teksa në Lindjen e Mesme SHBA-ja kanë dislokuar forca ushtarake.

Ai paralajmëroi Britaninë që të mos heqë dorë nga sovraniteti mbi Ishujt Çagos në Oqeanin Indian, duke thënë se baza ajrore në arkipelag, Diego Garcia, mund të përdoret nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, “për të neutralizuar një sulm të mundshëm nga një regjim shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm”.

Rrjetet televizive amerikane CNN dhe CBS raportuan se ushtria amerikane mund të jetë gati të nisë sulme kundër Iranit që nga kjo fundjavë, megjithëse raportohet se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Ndërkaq, The Wall Street Journal tha se Trump është informuar për opsionet e tij ushtarake, të cilat janë “të gjitha të ideuara për të maksimizuar dëmin”, përfshirë një fushatë për të “vrarë dhjetëra udhëheqës politikë dhe ushtarakë iranianë, me synimin për rrëzimin e Qeverisë”, raportoi kjo gazetë duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë.

Kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani është duke “hartuar” një kornizë për bisedime të ardhshme me SHBA-të.

Irani dhe SHBA-të zhvilluan të martën në Gjenevë raundin e dytë të negociatave, të ndërmjetësuara nga Omani.

Araghchi shtoi se Teherani ishte pajtuar me Uashingtonin për “parime udhëzuese”, por zv.presidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se Irani ende nuk i ka pranuar të gjitha vijat e kuqe të SHBA-ve.

Duke folur të mërkurën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian këmbënguli se “ne nuk duam luftë”, por la të kuptohet se Teherani nuk mund t’iu nënshtrohet kërkesave të SHBA-së.

Që nga dita kur mora detyrën, kam besuar se lufta duhet lënë mënjanë. Por, nëse ata do të përpiqen të na imponojnë vullnetin e tyre, të na poshtërojnë dhe të kërkojnë që ne të ulim kokën me çdo kusht, a duhet ta pranojmë këtë?.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani synojnë të shmangin mundësinë e një veprimi ushtarak amerikan, ndërkaq Teherani po kërkon që Uashingtoni të heqë sanksionet që kanë gjymtuar ekonominë iraniane.

Irani ka insistuar se diskutimet duhet të kufizohen vetëm në çështje bërthamore, edhe pse më herët Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të negociatave të jetë edhe programi i raketave balistike të Teheranit si dhe mbështetja që Republika Islamike jep për grupet e armatosura në rajon.

Teksa bisedimet kanë rinisur, SHBA-të kanë dislokuar forca afër Iranit. Uashingtoni ka urdhëruar dërgimin e një aeroplanmbajtësi të dytë në rajon. Aeroplanmbajtësi i parë, USS Abraham Lincoln ka rreth 80 aeroplanë në bord dhe është pozicionuar afro 700 kilometra larg bregut iranian sipas pamjeve satelitore.