Aktualitet Rajoni

Shtetet e Bashkuara theksojnë mbështetjen ndaj “Ballkanit të Hapur” si nismë ekonomike!

Sot nga samiti i Ohrit, takimi i radhës në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, deklaroi se nisma synon lidhjen mes njerëzve dhe zgjidhjen e problemeve. Më tej, Vuçiç vuri në dukje se “mbetet e hapur për të gjitha shtetet”.

Nuk do të thotë që të gjithë ta mbështesin këtë nismë, por është me rëndësi që kjo po merr mbështetje gjithnjë e më shumë. Të gjitha kërkesat për t’iu bashkuar nismës janë të mirëseardhura…Nga ne varet se si do të jetojmë me fqinjët, se a do ta ndihmojmë njëri-tjetrit apo nëse do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kam dëshirë dhe vullnet të bëjmë punë të mira!

I pranishëm në samit në cilësinë e vëzhguesit, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi se “shtetet e rajonit duhet t’i lënë pas politikat e konfrontimeve dhe të shohin drejt së ardhmes!”. Sipas kreut të Ekzekutivit të Podgoricës, “Mali i Zi do t’i mbështesë të gjitha nismat që kanë për qëllim zhvillimin e rajonit”.

Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, vetëm të ardhmen mund ta ndryshojmë. Çdo gjë që ka për qëllim pajtimin do të ketë mbështetjen tonë! Dialogu rrit besimin mes nesh e të mos frikësohemi prej njëri-tjetrit. Shpresoj se radhën tjetër do të jemi bashkë, që të gjashta shtetet, pavarësisht skepticizmin që mund të kemi.

Përmes lidhjes video, pjesëmarrësve iu drejtua edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për rajonin, Gabriel Escobar. Zyrtari amerikan i dha mbështetje nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të stabilizuar Ballkanin. Amerika nuk e sheh Ballkanin si një pikë e problemeve nga e kaluara, por në prizmin e së ardhmes. Shtetet e Bashkuara e përkrahin nismën “Ballkani i Hapur”, sikurse të gjitha nismat e tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Nëse ka sukses, duhet të mbështet nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor!

Edhe eurokomisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se “Brukseli e mbështet nismën, si mundësi”, që sipas tij “do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit europian të rajonit”.