Aktualitet Politikë

Shtyhet për në këtë datë seanca ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla!

Për shkak të ndryshimit të avokatit, Gjykata e Posaçme shtyn për më 16 prill seancën ndaj Adriatik Llallës. SPAK-u synon ta dërgojë në qeli ish-Prokurorin e Përgjithshëm e në konkluzionet përfundimtare të 19 marsit, prokurorët specialë kërkuan deklarimin fajtor të Llallës, dënimin e tij me 2 vite burg dhe përjashtimin për 5 vite nga çdo funksion publik.

Por nëse miratohet kërkesa, dënimi do të reduktohej në 16 muaj heqje lirie si rezultat i uljes nga gjykimi i shkurtuar. Fillimisht, ish-shefi i organit qendror të akuzës u hetua për “Shpërdorim detyre”, “Pastrim parash” dhe “Fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, vepër kjo e fundit, për të cilën u dërgua i pandehur.

Hetimi në gjendje të lirë ndaj Llallës nisi tre vjet më parë, në përfundim të mandatit si kryeprokuror ndërsa ishte dorëhequr nga statusi i magjistratit. Llalla nuk ishte në sallë gjatë leximit të pretencës, ku u përfaqësua nga avokati i tij. Hetimi ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme nisi mars të vitit 2018, kohë kur ai kishte përfunduar mandatin e kryeprokurorit, si edhe dhënë dorëheqjen nga statusi i magjistratit.

Nga ana tjetër, një apartament i ish-kryeprokurorit në Durrës, si edhe 4 sipërfaqe trualli, gati 20 mijë metra katrorë në total, janë nën sekuestro për llogari të një hetimi pasuror të nisur ndaj tij në zbatim të ligjit “anti-mafia”. Prej shkurtit 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur “non grata” Llallën dhe i ka ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.