Health & Beauty Lifestyle

Si ndikon mbajtja e syzeve të diellit në sytë tuaj, sipas shkencës?

Kur shumica e njerëzve mendojnë për dëmtimin e shkaktuar nga dielli, ata ndoshta shqetësohen për lëkurën e tyre. Por edhe rrezet ultravjollcë të diellit përbëjnë një kërcënim për sytë e një personi.

Sipas një studimi të vitit 2014 të financuar nga Instituti Kombëtar i Syve të SHBA-së, pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit, rrezatimi UV mund të dëmtojë proteinat në thjerrëzat e syrit. Me kalimin e kohës, ky dëm mund të rrisë rrezikun e një personi për katarakte, të cilat dëmtojnë shikimin.

“Kur nuk përdorni mbrojtje, rrezatimi ultravjollcë që nuk mund ta shihni po depërton në sy dhe strukturat e syrit janë shumë të ndjeshme ndaj tij,” thotë Dr. Rebecca Taylor, një okuliste me bazë në Nashville dhe një zëdhënëse klinike për Akademinë Amerikane të Oftalmologji. Pjesa e pasme e syrit, e quajtur retina, ka një zonë qendrore delikate të njohur si makula. “Dhe kur drita hyn në sy, ajo godet atë makulë si një rreze lazer.”

Ka prova që dëmtimi UV mund të rrisë rrezikun e një personi për degjenerim makular, një nga shkaqet kryesore të verbërisë së lidhur me moshën. Dhe ekspozimi në diell lidhet gjithashtu me kancerin e syve dhe me një formë të dëmtimit afatshkurtër të syrit, si djegia nga dielli, i quajtur fotokeratiti (ndonjëherë i njohur si “djegia e saldatorit”), i cili mund të shkaktojë verbëri të përkohshme ose shikim të njollosur.