Health & Beauty Lifestyle

Skolioza tek adoleshentët: Rritja e probleme shëndetësore për shkak të palestrës, abuzimit me pesha dhe posturës!

Rritja e dëshirës për të pasur trup të palestruar dhe me muskuj të tonifikuar ka sjellë një problem të ri shëndetësor tek adoleshentët në Shqipëri. Mjekët po paralajmërojnë për një rritje të rasteve të skoliozës dhe dëmtimeve të tjera trupore, të cilat po shfaqen si pasojë e aktiviteteve fizike të tepruara dhe abuzimit me peshat e rënda në palestër.

Abuzimi me ushtrime intensive, sidomos nëse ato nuk bëhen nën mbikëqyrjen e një trajneri të kualifikuar, mund të shkaktojë dëmtime të muskujve dhe tendinave, si dhe devijime të shtyllës kurrizore. Mjekët, si traumatologu Abdurrahim Palushi, theksojnë se mbingarkesa e trupit gjatë ushtrimeve mund të sjellë deformime serioze dhe probleme afatgjata në shëndet. Ai u shpreh se është e rëndësishme që adoleshentët të ushtrohen në palestër, por gjithmonë duke respektuar masën dhe duke përdorur peshat e duhura për trupin e tyre.

Përveç dëmtimit të muskujve dhe tendinave, ekspertët përmendin edhe dëmtime të tjera, si ato të artikulacioneve dhe kërcit, që ndodhin kur trupi është i mbingarkuar me peshë më të madhe se sa mund të përballojë. Fizioterapisti Kleton Kadillari theksoi se ngritja e peshave të rënda mund të shkaktojë dëmtime serioze, veçanërisht tek adoleshentët që nuk janë të gatshëm fizikisht për t’i përballuar ato.

Një tjetër shqetësim që ka ngritur komuniteti i palestrës është ndikimi i influencuesve në rrjetet sociale. Sipas instruktorëve, shumë të rinj ndjekin këshillat e “influencerëve” të cilët shpesh i japin udhëzime të pasakta për ushtrimet fizike. Trajneri Jurgen Veizi theksoi se këta individë shpesh i përdorin video të marra nga interneti dhe i shpërndajnë ato pa një kuptim të plotë të teknikës së saktë, duke i çuar të rinjtë në rrezik për dëmtime.

Po ashtu, problemet e skoliozës nuk prekin vetëm adoleshentët, por edhe të rriturit, sidomos ata që kalojnë shumë orë para ekraneve. Logopedi Ervin Neptavishta paralajmëron se qëndrimi për periudha të gjata në pozita të papërshtatshme para ekranit, si për shembull kompjuterët ose telefonat, shkakton probleme të muskulaturës dhe mund të çojë në deformime të shtyllës kurrizore.

Në këtë kontekst, specialistët sugjerojnë që të rinjtë dhe të rriturit të ushtrohen me kujdes dhe të kërkojnë këshilla nga profesionistë të kualifikuar për të shmangur pasojat e mundshme shëndetësore.